318

    Ines Muçostepa, Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë në një lidhje skype për ‘News24’ deklaroi se garancia sovrane është e pamjaftueshme për sipërmarrjet e biznesit, të cilat tashmë po përballen me krizën për shkak të situatës së shkaktuar nga koronavirusi.

    Sipas saj, për të përfituar këtë kredi kanë aplikuar 400 biznese, ndërkohë që iu është miratuar vetëm 70 prej tyre.

    Mes të tjerash Muçostepa tha se bankat aktualisht po veprojnë sikur vendi të ishte në gjendje normale, ndonëse situata është jo e zakontë.

    “Nëse flasim sot për garancinë sovrane, ky është mekanizëm i mirë. Por po shohim se nuk është i mjaftueshëm. 400 sipërmarrje kanë aplikuar për kredinë sovrane, dhe vetëm 70 prej tyre kanë lidhur kontrata. Ne mendojmë se ky numër ngelet i ulët. Nuk ka kënaqur sipërmarrësit për nevojën e likuiditetit që kanë. Që kur u hodh ideja e kredisë sovrane, pati skepticizëm nga sipërmarrësit, pasi interesat ishin të larta. Bankat nuk marrin risk, dhe nuk duan të rrezikojnë. Ne nuk jemi në situatë normale. Nga Banka Botërore u paralajmërua se do të ketë rritje të papunësisë. Nuk jemi në situatë normale, ku bankat do i hyjnë kontrolleve për dokumentacione. Por jemi në moment ku kemi nevojë. Sipërmarrësi ka nevoje që të rrijë në gjendje konservative. Shqetësim të madh ka dhe sektori i turizmit. Ky është një sektor që ka pasur kredi bankare të marra më herët dhe për çështjen e investimeve. Për këtë sektor, ata duhet të kërkojnë me ngulm që të marrin një kredi të dytë. Kontratat në momentin e mosshpërjerjes lejojnë sekuestrimin e aksioneve. Sipërmarrësit në këto momente po përjetojnë një situatë të paprecedentë. Ndaj shoqatat e biznesit ngrenë zërin që të ndihmohen dhe me lehtësi fiskale. Ishte një sinjal i mirë që guvernatori Sejko foli dhe për pagesat e kredive, që shpresojmë që të paguhen gjatë vitit tjetër.”, tha Muçostepa.

    Intervistën mund ta ndiqni duke klikuar këtu:

      299

      Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Shqipërisë, Znj. #InesMuçostepa në një intervistë për #ORANEWS u shpreh se pasojat e pandemisë vihen re në të gjitha hallkat e ekonomisë, nga bizneset e vogla deri tek korporatat.

      Sipas Kryetares Muçostepa, sektorët më të prekur janë turizmi, transporti, bujqësia, por edhe sektori i prodhimit ku bën pjesë edhe fasoneria.

      Për ta ndjekur të plotë intervistën klikoni në linkun më poshtë 👇

        312

        Në krizën që ka shkaktuar pandemia e COVID-19, qeveria shqiptare ka nxjerrë dy paketa financiare për të ndihmuar bizneset dhe punonjësit në përballimin e kostove.

        Procesi i këtyre paketave është shoqëruar me ankesa dhe parregullsi, ndërsa kryeministri ka lajmëruar edhe masën ekstreme, se bizneset që nuk aplikojnë për të marrë ndihmën financiare do të gjobiten.

        Të ftuar në “Argument” me gazetarin Enio Civici mbrëmjen e sotme ishin për të diskutuar rreth kësaj teme Milva Ikonomi, Elisabeta Dosku, Pajtim Melani dhe Ines Muçostepa.

        Gazetarja e SCAN TV, Elisabeta Dosku ka shpjeguar gjendjen e procesit, nëpërmjet shifrave. Sipas saj, në paketën e dytë shihet një entuziazëm më i dobët nga bizneset për të aplikuar:

        “Situata nuk është dhe aq mirë sa i përket paketave financiare. Janë dy paketa aktive. Tashmë po ndahen pagat e paketës së dytë, 40 mijë lekë, ndërsa ende nuk ka përfunduar shpërndarja e plotë e pagave të paketës së parë. Në paketën e parë problematikat lidhet me mënyrën e aplikimit dhe ka shumë biznese që nuk e kanë ndjekur në mënyrë të rregulltë procedurën. Në paketën e dytë ndërkohë ka një ritëm të ulët aplikimesh. Nga të dhënat e datës 6 maj janë diku tek 80 mijë punonjës që kanë marrë pagesën dhe duhet të jenë rreth 176 mijë të tillë, ndërsa aplikimet janë në 102 mijë. Drejtoria Tatimeve po ndjek ankesat e ndryshme dhe ka komunikuar se po i trajton rastet.”

        Kryetarja e komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Milva Ikonomi ndërkohë është shprehur se qeveria ka vëmendje dhe vullnet për të dërguar në destinacion pagat:

        “Ekzekutivi ka pafund vëmendje për t’i zgjidhur këto gjëra. Alokimi I fondeve për 176 mijë biznese është i padiskutueshëm dhe patjetër që do gjendet mënyra për të shkuar në vendin e duhur. Mendoj se periudha 1 mujore është kohë e shkurtër për të përfunduar të gjithë procesin. Teknikët në bazë të algoritmeve nxjerrin zgjidhje me shkresa, rregullore ose vendime të Këshillit të Ministrave, gjë e cila kërkon e saj në përllogaritje. Gjithashtu duhet përmendur se të gjitha sistemet online dhe shërbimet janë një risi në Shqipëri, prandaj kjo kërkon edhe pak kuriozitet nga njerëzit për të zbuluar si funksionojnë këto procese aplikimi dhe për t’I zbatuar ato.”

        Ndërkohë, Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë Ines Muçostepa pyetur nga gazetari Enio Civici për deklaratën e kryeministrit Rama se bizneset do gjobiten në rast se nuk aplikojnë, është shprehur se kjo është diçka jo e menduar mirë:

        “Nuk mendoj që ka dëshirë për të mos aplikuar. Mendoj se ka problematika në lidhje me kompanitë e mëdha që kanë numër të madh të punësuarish dhe që kaë hapësira të mëdha interpretimi. Deklarimet që duhet të bëhen në afate të caktuara sjellin konfuzione të ndryshme për shkak të ndryshimit të shpeshtë të datave, që janë problematika teknike. Gjithashtu mendoj se ka edhe probleme me sistemin.

        Mendimi jonë për gjobitjen është se Drejtoria Tatimeve nëse ka vullnetin e mirë për t’i dërguar pagat tek 176 mijë bizneset, pse jo kjo derdhje të mos bëhet në mënyrë direkte tek kompanitë dhe kështu të mos krijohen komplikacione.”

        Ndërkohë eksperti i ekonomisë, Pajtim Melani në mendimin e tij kërkon më shumë veprim nga qeveria për të investuar në ekonominë e re teknologjike dhe për të balancuar kërkesën me ofertën në normalitetin e ri:

        “Pandemia duket se ka kaluar të gjtiha krizat që nga Depresioni i Madh dhe të tjerat para saj që mund të ketë parë njerëzimi. Mënyra më e mirë për ta menaxhuar situatën është të analizosh teoritë e sjelljes konsumatore. Unë si ekonomist dua të analizoj sjelljen ndaj të mirave materiale. Paketa e parë dhe e dyta mund të ishin dhe më të shpejta, por ajo që duhet indoktrinaur në treg është përshtatja në një treg të ri, ku teknologjia dhe e-commerce duhet të jenë baza e saj. Nga statistikat që kam parë, të paktën 2.5 milionë njerëz kanë përdorur njëherë të vetme internetin dhe numri i familjeve me internet shkon në 650 mijë. Prandaj duhet të investojmë në ekonominë e re. E dyta duhet të balancojmë kërkesën me ofertën, për t’i përputhur së bashku me një hapje graduale të ekonominës por jo të vonuar.”

          296

          Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Industrisë dhe Tregtisë, Ines Muçostepa, analizon për gazetën “Fjala” situatën ekonomike në vend. Ajo sugjeron të shlyhen detyrimet që shteti ka ndaj sipërmarrjes, të ulet me 20 % energjia dhe të lehtësohet barra fiskale

          Bizneset janë në pritje të një pakete të tretë nga qeveria shqiptare, e cila të jetë e dedikuar për biznesin, pasi dy paketat e miratuara deri tani kanë pasur fokus social. Pandemia COVID-19 e paralizoi ekonominë shqiptare për dy muaj dhe ende s’ka një skenar të qartë për “hapjen”. Në paketën me tetë pika ndër të tjera bizneset kërkojnë lehtësimin e barrës fiskale, shtyrjen e pagesave të kredive, uljen me 20 % të çmimit për furnizimin me energji elektrike dhe shlyerjen e të gjitha detyrimeve që shteti ka ndaj sipërmarrjes private. Në një intervistë për gazetën “Fjala” kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Industrisë dhe Tregtisë, Ines Muçostepa, pasi bën një pasqyrë të vështirësive me të cilat përballet biznesi sipas sektorëve, pohon se ekonomia tashmë ka hyrë në recesion.

          Cila është gjendja e biznesit sot, 50 ditë pas bllokimit thuajse total, si pasojë e epidemisë së Covid-19?

          Pandemia e Covid-19 dhe masat e marra për të frenuar përhapjen e saj po japin efekte negative në ekonominë globale e, sigurisht,kanë ndikuar edhe në ekonominë tonë. Kjo situatë ka sjellë një rritje shumë më të ulët ekonomike e cila konsiderohet një recesion i vërtetë. Masat kufizuese të marra kanë ndikuar në raportin e kërkesës dhe ofertës së brendshme, prandaj aktiviteti ekonomik është ulur ndjeshëm. Kriza ka bllokuar lëvizshmërinë ndërkombëtare duke sjellë për sektorin e turizmit një kolaps total. Eksportet kanë rënë për shkak të rënies së kërkesës dhe për shkak të ndërprerjeve në zinxhirin e vlerës. Kjo krizë pritet të shkaktojë edhe ngadalësimin e investimeve publike e private duke sjellë kështu rënien e rritjes ekonomike dhe si rrjedhojë mungesën e krijimit të vendeve të reja të punës. Ekonomia e vendit tonë mbështetet fort edhe te hyrja e qëndrueshme e remitancave, zë që pritet të zvogëlohet për shkak të mungesës së lëvizshmërisë, papunësisë dhe rënies ekonomike që po përjetojnë edhe vendet e tjera. Pasojat e krizës së Covid-19, që ka prekur ekonominë, janë të gjithanshme. Rënie të ardhurash për qytetarët që humbin vendet e punës dhe rënie të ardhurash edhe për shtetin. Krizën po e ndiejnë të gjitha llojet e biznesit nga ai i vogël, i mesëm dhe i madh, biznes prodhues, tregtar, turizmi, transporti dhe shërbimet.

          Cilët janë sektorët dhe bizneset më të prekura nga kjo situatë dhe ku shprehet më shumë kjo prekje?

          Për sa i përket ekonomisë së brendshme, sektorët e turizmit, transportit dhe prodhimit do të jenë ndër më të prekurit. Shqipëria pritet të jetë një nga vendet që do të goditet më tepër, për shkak të varësisë nga turizmi. Më shumë se 20 për qind e PBB-së në Shqipëri mbulohet nga të ardhurat e turizmit. Për sektorin e turizmit kjo është goditja e dytë fatale pas goditjes së tërmetit të 26 nëntorit 2019. Ky sektor është i lidhur ngushtë me sektorin e transportit publik, por edhe me sektorin e bujqësisë dhe ndikimi negativ do të ndihet edhe në këta dy sektorë. Për sa u përket sipërmarrjeve prodhuese, ato janë duke ndeshur probleme lidhur me furnizimin me lëndë të para nga importi, anulimin e kontratave të lidhura për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme dhe mungesën e kontratave të reja. Kjo situatë u ka sjellë bizneseve rënie të prodhimit dhe për pasojë të të ardhurave me më shumë se 50 për qind dhe me një rënie të shitjeve me rreth 70 për qind. Kjo rënie pritet të rritet akoma më shumë në muajin maj. Kjo situatë dhe mungesa e likuiditetit ka sjellë edhe probleme me pagat e punonjësve. Numri total i vendeve të punës të mbyllura tashmë është rreth 61000. Pjesa më e madhe e bizneseve të mëdha kanë deklaruar se mund të përballojnë pagesën e pagave dhe për dy muaj të tjerë, nëse kjo situatë do të vazhdojë.

          Cilat kanë qenë kërkesat dhe qëndrimet tuaja si organizatë përfaqësuese e biznesit shqiptar kundrejt qeverisë, lidhur me ndihmën për ekonominë dhe biznesin?

          Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë ka qenë shumë aktiv në përcjelljen e problematikave që bizneset e ҫdo sektori kanë hasur që në ditët e para të kufizimeve, te politikëbërja. Duhet të kemi parasysh që kjo situatë e pazakontë për të gjithë mbarti problematika lidhur me zhvillimin e aktivitetit të bizneseve, kufizimit të kapaciteteve, pengesave në lëvizjen e automjeteve dhe stafit, mungesën e protokolleve të operimit të bizneseve etj. Për të gjitha këto problematika kemi hartuar dhe paraqitur edhe propozimet tona për zgjidhjet e mundshme, të cilat janë marrë parasysh.

          Lidhur me propozimet ekonomike, kemi paraqitur një kërkesë të parë në mes të muajit mars, të shoqëruar më pas me një kërkesë të dytë, e cila u hartua si propozim i përbashkët me të gjitha dhomat e tregtisë dhe me shoqatat e ndryshme të biznesit. Kërkesat ekonomike që i paraqitëm qeverisë bazoheshin në 8 pika, të cilat kërkonin përjashtimin, deri në kthimin e normalitetit, nga detyrimet fiskale për sipërmarrjet e sektorit të transportit të udhëtarëve urban, ndërurban dhe ndërkombëtar, për sipërmarrjet e sektorit të hoteleri-turizmit dhe agjencitë e udhëtimit, si edhe për sipërmarrjet e mbyllura për shkak të masave shtrënguese; përjashtimin deri në kthimin e normalitetit nga detyrimet fiskale për të gjitha sipërmarrjet, të ardhurat e të cilave në muajin mars 2020 kishin rënie me 20%; aplikimin me 20% ulje të çmimit për furnizimin me energji elektrike dhe ujë për të gjitha sipërmarrjet në sektorin e prodhimit; përjashtimin nga detyrimet e sektorit të hotelerisë për taksën vendore (lek/krevat), si dhe të gjitha taksat e tjera vendore që kanë të bëjnë me pasuritë e sipërmarrjes private; përjashtimin deri në kthimin e normalitetit nga të gjitha detyrimet nga taksat vendore për mjetet e transportit të udhëtarëve, si dhe për ambientet që përdoren dhe shërbejnë për zhvillimin e aktivitetit të biznesit, edhe nëse këto ambiente janë me kontratë qiraje dhe jo vetëm në pronësi të vetë sipërmarrjes; subvencionim me 50 % të vlerës së qirasë për të gjitha sipërmarrjet e pezulluara nga masat shtrënguese për muajt mars dhe prill; për automjetet e transportit të pasagjerëve të shtyhet vlefshmëria e siguracionit dhe taksave për një periudhë të barabartë me kohëzgjatjen e pezullimit të veprimtarisë, por jo më pak se 3 muaj; shtyrje automatike për një periudhë 3-mujore të vlefshmërisë së të gjitha autorizimeve ose licencave; garancia sovrane, e vënë në dispozicion të sipërmarrjes private, duhet të jetë e pakufizuar dhe të përmbushë të gjitha kërkesat e sipërmarrjes private që ka një rënie të të ardhurave në muajin mars 2020 prej më shumë se 20% e mesatares së muajt janar dhe shkurt 2020, përfshirë edhe sipërmarrjet bujqësore, blegtorale dhe peshkimin; ajo duhet të ofrohet me një tarifë interesi jo më shumë se 0,2% dhe shlyerja e kësaj kredie të fillojë në janar të vitit 2021; të rishikohet me procedurë të përshpejtuar buxheti, duke hequr dorë nga investimet dhe shërbimet publike jo bazike, në përputhje me gjendjen e fatkeqësisë natyrore; qeveria shqiptare të marrë masat që të shlyejë të gjitha detyrimet ndaj sipërmarrjes private, brenda muajit prill 2020, si dhe të shlyejë në kohë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga kontratat e veprave dhe shërbimeve publike që nuk janë anuluar me apo pa rishikim buxheti; për të gjitha donacionet që sipërmarrja shqiptare do të ndërmarrë për t’i ardhur në ndihmë përballimit të situatës Covid -19, është kërkuar njohja e tyre si shpenzim i zbritshëm nga sistemi fiskal. Këtë paketë ekonomike në diskutime ose debate të ndryshme e kam quajtur edhe “paketa ekonomike e dialogut”, duke pasur parasysh edhe kërkesën e përsëritur që dhomat e tregtisë dhe shoqatat e biznesit i kanë bërë qeverisë shqiptare për të dialoguar mbi një paketë ekonomike të dakordësuar mes palëve.

          Si i vlerësoni dy paketat e mbështetjes ekonomike të qeverisë? Ç’mendoni për planin A dhe planin B në raport me zgjidhjen e problemeve të bizneseve, prodhimin, papunësinë, taksat e tatimet etj.?

          Dy paketat e hartuara nga qeveria për mbështetjen e ekonomisë kanë pasur në fokus garantimin e mbijetesës së shtresave në nevojë dhe biznesin e vogël. Pra, mund të themi që të dyja paketat kanë pasur një objekt social. Biznesi i madh i ka konsideruar këto dy ndërhyrje si masa të vonuara dhe të pamjaftueshme, të cilat nuk sigurojnë lehtësim lidhur me vështirësitë ekonomike që biznesi po has në këtë periudhë. Edhe pse bizneset kanë probleme likuiditeti, ato po hezitojnë të përdorin mekanizimin e garancisë sovrane, për shkak të frikës që kanë për një konfiskim të mundshëm të aksioneve në rast vështirësie. Ndërkohë, norma e interesit të garancisë së parë sovrane është i lartë dhe bankat nuk kanë paguar në mënyrë të menjëhershme dhe pa burokraci.

          A mendoni se është urgjente një paketë tjetër, pra një plan C, që duhet t’i kushtohet vetëm biznesit?

          Në fakt, biznesi është në pritje të një pakete të tretë ekonomike, e cila duhet të ketë në fokus vetëm biznesin. Barra e rënies ekonomike është më e rëndë për ata që preken më shumë dhe, për këtë arsye, qeveria duhet të reagojë shpejt nëpërmjet stimujve dhe lehtësirave fiskale në mbështetje të punësimit, për të ofruar injektim të likuiditetit për bizneset që kanë nevojë. Shteti nuk duhet të lejojë që të dëmtohen edhe më shumë kapacitetet ekzistuese të bizneseve, pasi kjo do të kishte pasoja të rënda për gjithë ekonominë shqiptare.

          A rrezikon një pjesë e madhe e bizneseve të falimentojë, nëse nuk ka ndihmë nga shteti në këtë situatë?

          Stimujt financiarë dhe likuiditeti i gjerë do të mund të rrisin besimin në këtë moment të vështirë për bizneset, si dhe do të parandalojnë tkurrjen edhe më të thellë të ekonomisë, duke synuar rimëkëmbjen eventuale të saj. Duhen marrë vendime të shpejta e të rëndësishme për të shmangur një rënie edhe më të ndjeshme dhe falimentimin e një numri të madh të bizneseve në vend.

          Në gjykimin tuaj, cilat janë mundësitë reale dhe sfidat që biznesi dhe ekonomia shqiptare të fillojë procesin e stabilizimit dhe ringritjes?

          Të gjitha vendet po bëjnë llogaritë e kostove të pandemisë së Coronavirusit dhe përballë tyre po planifikojnë ndërhyrjet për të minimizuar rreziqet, si dhe për të shpëtuar nga një recesion i thellë e me pasoja të rënda e afatgjata. Rritja ekonomike në Shqipëri parashikohet të jetë nga 5 deri në -6,9 %, sipas Raportit të fundit RER të Bankës Botërore. Nëse masat shtrënguese do të mund të eliminohen në fund të muajit qershor, mund të pritet një rimëkëmbje shumë e ngadaltë në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2020, ndërkohë që zgjatja më tej e masave kufizuese mund të sjellë një shtyrje të fillimit të rimëkëmbjes në fund të vitit 2020.

          Çfarë masash e politikash janë të domosdoshme të zbatohen në periudhën e ringritjes dhe sa kohë mendoni që i duhet biznesit për t’u kthyer në normalitet?

          Gjatë periudhës së ringritjes vëmendja duhet të fokusohet në mënyrën se si do të rikuperohet zhvillimi i ekonomisë, si mund të mbështeten sektorët eksportues me anë të paketave mbështetëse, si duhet të ndihmohen bizneset që të mund të hapen përsëri, shtimi i vlerës së produkteve lokale, rëndësia e digjitalizimit të ekonomisë, si dhe rikthimi i njerëzve në punë. Për sa i përket kohës që do t’i duhet biznesit për t’u kthyer në normalitet, mendoj që është akoma shpejt për ta përcaktuar duke menduar që, ashtu si edhe gjatë luftës apo një krize politike, ka një paqartësi të zgjatur mbi intensitetin dhe kohëzgjatjen e shokut dhe gjithsesi çdo gjë do të shihet më qartë nga momenti i zhdukjes së pandemisë. Me gjithë vështirësitë me të cilat po ndeshet ekonomia jonë e brishtë, do të doja ta mbyllja këtë bashkëbisedim me një mesazh pozitiv, kriza jep edhe mundësi për të ndërmarrë nisma të reja, sjell përpjekje për të ndryshuar drejtimin e tregut, zbatimin e metodave të reja të prodhimit. Kriza është edhe mundësi për të vepruar me zemër, mirëkuptim e besim.

          Dhomat e Industrisë/ Muçostepa: Jemi në krizë, tetë kërkesat për rimëkëmbjen

            301

            Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Shqipërisë në një intervistë për gazetën Fjala u shpreh: “Bizneset janë në pritje të një pakete të tretë nga qeveria shqiptare, e cila të jetë e dedikuar për biznesin, pasi dy paketat e miratuara deri tani kanë pasur fokus social. Pandemia COVID-19 e paralizoi ekonominë shqiptare për dy muaj dhe ende s’ka një skenar të qartë për “hapjen”. Në paketën me tetë pika ndër të tjera bizneset kërkojnë lehtësimin e barrës fiskale, shtyrjen e pagesave të kredive, uljen me 20 % të çmimit për furnizimin me energji elektrike dhe shlyerjen e të gjitha detyrimeve që shteti ka ndaj sipërmarrjes private.”

            Intervistën e plotë mund ta ndiqni duke klikuar në linkun më poshtë:

            Dhomat e Industrisë/ Muçostepa: Jemi në krizë, tetë kërkesat për rimëkëmbjen

              288

              Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë është kontaktuar nga Ambasada jonë në Poloni, prej së cilës jemi informuar për kërkesën për bashkëpunim të ofruar nga kompania polake MAXimus.

              Kjo kompani disponon Dhomën e Dezifektimit MX-C për t’u përdorur në hyrjet e ndërtesave publike, një produkt ky i konsideruar si një zgjidhje e sigurt, efektive dhe në të njëjtën kohë ekonomike në këtë periudhë pandemie për dezifektimin e personave.

              📌Për sa më sipër, nëse jeni të interesuar për të bashkëpunuar me këtë kompani, lutemi të përcillni shprehjen tuaj të interest në adresën info@uccial.al

                305

                21 organizata të biznesit iu përgjigjen sot disa qëndrimeve që ata i quajtën të rrezikshme ndaj zv/kryeministrit Erion Braçe.

                “Zyrtari i dytë më i lartë i qeverisë, vetë zëvendës kryeministri i vendit, Z. Erjon Braçe, u shfaq sërish me qëndrime publike shumë agresive ndaj biznesit. Në dukje, në mbrojtje të punëtorëve, ai i fryn fort ndezjes së një konflikti social. Këto qëndrime duatrokiten fort në Shqipëri dhe vende të tjera të varfëra, ku sundon mendimi se dikush është i varfër, ngaqë dikush tjetër është i pasur. Aq më shumë kur ato vijnë nga një zyrtar i lartë. Sepse, në Shqipëri, ende, sipërmarrësi apo kapitalisti, ashtu si në komunizëm, shikohet si “gjakpirës”, “shfrytëzues”, “i pashpirt”. Pra fiks si barbar, ashtu siç thotë edhe z.Braçe.

                Ne jemi të shtrënguar të reagojmë pas këtyre deklarimeve, për shkak se kjo tashmë nuk është një lajthitje, apo një deklaratë mitingjesh politike, por është një qëndrim i përsëritur i zotit Braçe.

                Ne jetojmë në të njëtin vend dhe jemi pjesë e të njëjtës shoqëri si dhe zoti Braçe. Por realitetin e njohim shumë më mirë se ai.

                PO, është e vërtetë se ka sipërmarrës që kanë abuzuar me punën e zeze. Kjo ka ndodhur dhe ndodh kur vetë shteti eshtë bashkëpunëtor me këtë model sipërmarrjeje.

                Është e vërtetë se ka patur e ka sipërmarrës që i keqpaguajnë dhe nuk deklarojnë punëtorët, por gjithmonë me bekimin e “padronit” bashkëpunëtor, që janë institucionet ligjzbatuese publike.

                Po ashtu, është e vërtetë se shumë sipërmarrës të ndershëm thyejnë kokën përballë konkurencës të atyre sipërmarrësve që favorizohen nga zyrtarët e korruptuar,

                Ne si përfaqësues të sipërmarrjes së ndershme, kemi mbështetur çdo nismë të qeverisë shqiptare në luftën kundër informalitetit. Jemi kundër çdo modeli sipërmarrjeje që shkel ligjin dhe cënon liritë e të drejtat e njeriut.

                Problemi është se zoti Braçe nuk flet si zëvendës kryeministër, sepse Zv/Kryeministri flet me emra, flet me fakte, flet me numra, me shifra dhe mban qëndrime, propozon ligje dhe akte nënligjore për të mbrojtur të dëmtuarit nga sipërmarrësit dhe zyrtarët e korruptuar. Z.Braçe bën akuza kolektive kundër sipërmarrësve, duke ngritur një frymë urrejtjeje dhe revolte, jo vetëm të panevojshme, por shumë të dëmshme për situatën që po përjeton Shqipëria dhe mbarë njerëzimi.

                Zoti Braçe, na drejtohet duke na thënë: Urdhëroni, bëjeni atë biznes pa punëtorë. Jo, zotëri, biznesi nuk bëhet pa punëtorë.

                Por, urdhëro edhe Ti zoti Braçe, bëje ekonominë pa sipërmarrjen private. Megjithë dëshirën e ndokujt për të rieksperimentuar në modele ekonomike, çdo shqiptar e di mirë se çfarë solli modeli 45 vjeçar i komunizmit.

                Sipërmarrja private zoti Braçe është punëdhënësi më i madh. Është edhe kontriburesi më i madh në ekonominë kombëtare dhe në arkën e shtetit. Ndërsa shteti duhet të miratojë ligje dhe të kontrollojë zbatimin e tyre, për të rregulluar marrëdhëniet e punës mes biznesit dhe punëtorit, si dhe mes biznesit dhe shtetit.

                Kaq zoti Braçe!

                Nëse kjo nuk ka funksionuar, nuk është faji i biznesit të ndershëm, por i shtetit me bashkëpunëtorët e informalitetit dhe evazorëft fiskalë.

                Sot biznesi ka nevojë për tu mbështetur që të mos rrëzohet nga kriza, dhe nuk ka nevojë për thirrje revolucionare që “proletarët” tiu vënë flakën magazinave. Sepse biznesi nuk është balena e dhjamur, që kur ngec në breg, të gjithë sulen të shkisin çtë munden për të mbushur stomakun para dimërimit.

                Kjo deklaratë është reagim i organizatave të biznesit:

                Forumi Ekonomik Mbarë-Shqiptar
                Shoqata e Operatorëve Turistikë
                Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë
                Dhoma e Fasonëve të Shqipërisë
                Dhoma Italiane e Tregtisë në Shqipëri
                Shoqata e Transportuesve Ndërkombëtarë të Udhëtarëve
                Shoqata e Transportit Ndërqytetas dhe Rrethqytetas i Udhëtarëve
                Shoqata e Transporti Urban dhe Interurban Kamëz-Veri
                Shoqata Shqiptare e Turizmit
                Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë
                Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës
                Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Fier
                Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Vlorë
                Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Elbasan
                Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Berat
                Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë
                Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Korçë
                Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Gjirokastër
                Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Lezhë
                Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kukës
                Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Dibër

                Projekte

                1746
                Union of Chambers of Commerce and Industry of Albania, Foreign Trade, Chamber of Bosnia and Herzegovina, Croatian Chambers of Economy, Economic Chamber of (former...