Albania Language English Language

Tregtaret & Shoqerite Tregtare

Shoqëritë tregtare themelohen nga dy ose më shumë persona fizikë dhe/ose juridikë, që bien dakord për arritjen e objektivave ekonomikë të përbashkët, duke dhënë kontribute në shoqëri, sipas përcaktimeve në statutin e saj.

Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar dhe shoqëritë aksionare mund të themelohen edhe vetëm nga një person fizik dhe/ose juridik (shoqëritë me ortak apo aksionar të vetëm).

Shoqëritë tregtare fitojnë personalitetin juridik në datën kur kryhet regjistrimi i tyre në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR).

Ligji Nr.9901 datë 14.4.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare” përcakton 4 forma të shoqërive tregtare të cilat janë:

1.       Shoqëritë Kolektive (SHK)

Një shoqëri është shoqëri kolektive nëse regjistrohet si e tillë, e kryen veprimtarinë tregtare nën një emër të përbashkët dhe përgjegjësia e ortakëve përpara kreditorëve është e pakufizuar.
Kontributi i ortakëve mund të jetë në para ose në natyrë (pasuri të luajtshme/të paluajtshme, të drejta, krah pune dhe shërbime). Kontributet e ortakëve janë të barabarta.

2.       Shoqëritë Komandite (SHKM)

Shoqëri komandite është shoqëria, në të cilën përgjegjësia e të paktën njërit prej ortakëve është e kufizuar deri në vlerën e kontributit të tij, ndërsa përgjegjësia e ortakëve të tjerë nuk është e kufizuar.

Ortaku, përgjegjësia e të cilit është e kufizuar deri në vlerën e kontributit të tij, quhet ortak i kufizuar.

Ortaku, përgjegjësia e të cilit nuk është e kufizuar deri në vlerën e kontributit të tij, quhet ortak i pakufizuar. Ortaku i pakufizuar ka statusin e ortakut të shoqërisë kolektive.

3.       Shoqëritë me Përgjegjësi të Kufizuar (SHPK)

Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar është një shoqëri tregtare, e themeluar nga persona fizikë ose juridikë, të cilët nuk përgjigjen për detyrimet e shoqërisë tregtare dhe mbulojnë personalisht humbjet e shoqërisë deri në pjesën e pashlyer të kontributeve të nënshkruara. Kontributet e ortakëve përbëjnë kapitalin e regjistruar të shoqërisë me përgjegjësi të kufizuar.

Secili ortak gëzon kuotën e tij në shoqëri, në përpjesëtim me kontributin që ka dhënë në kapital. Kapitali i regjistruar i shoqërisë ndahet ndërmjet ortakëve në kuota, sipas këtij raporti. Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar nuk mund të ketë një kapital më të vogël se 100 lekë.

4.       Shoqëritë Aksionare (SHA)

Shoqëria aksionare është një shoqëri tregtare, kapitali i së cilës është i ndarë në aksione të nënshkruara nga themeluesit. Themeluesit janë persona fizikë ose juridikë, të cilët nuk përgjigjen personalisht për detyrimet e shoqërisë e që mbulojnë humbjet e saj vetëm me vlerën e pashlyer të aksioneve të nënshkruara.

Shoqëritë aksionare mund të jenë shoqëri me ofertë, private apo publike.

Shoqëria aksionare me ofertë private nuk mund të ketë një kapital më të vogël se 2.000.000 lekë.

Shoqëria aksionare me ofertë publike nuk mund të këtë një kapital më të vogël se 10.000.000 lekë.

Për të gjitha format e shoqërive, marrëdhëniet ndërmjet ortakëve si dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me organizimin e shoqërisë rregullohen nga statuti ose nëse nuk ka një të tillë, nga Ligji  Nr.9901 datë 14.4.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”.

Proçedurat dhe dokumentacioni që duhen për regjistrimin e një shoqërie tregtare, jepen në materialin në vazhdim.

Ju lutem shkarkoni Ligji  Nr.9901 datë 14.4.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”. .në linkun e mëposhtëm

Ligji  Nr.9901 datë 14.4.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”.

Regjistrimi i Biznesit

Regjistrimi Fillestar

PERSON FIZIK

Personat Fizikë, regjistrohen duke depozituar:

• Aplikimin për regjistrim fillestar, të plotësuar me të gjitha të dhënat e detyrueshme sipas këtij ligji,
• Një kopje të dokumentit të identifikimit.


SHOQËRITË E THJESHTA

Shoqëritë e Thjeshta, regjistrohen duke depozituar:

• Aplikimin për regjistrim fillestar, të plotësuar me të gjitha të dhënat e detyrueshme sipas këtij ligji,
• Kontratën përkatëse sipas parashikimeve të Kodit Civil,
• Kopje të dokumenteve të identifikimit të anëtarëve.

Në rast se palët nuk kanë lidhur kontratë me shkrim, regjistrimi i shoqërisë së thjeshtë mund të kryhet duke depozituar vetëm aplikimin e plotësuar me të gjitha të dhënat e detyrueshme, kopje të dokumenteve të identifikimit, dhe duke nënshkruar deklaratën e posaçme për njohjen, pranimin dhe zbatimin e dispozitave ligjore në fuqi, në lidhje me organizimin dhe funksionimin e shoqërisë së thjeshtë.


SHOQËRITË TREGTARE

Shoqëritë Tregtare, regjistrohen në Regjistrin Tregtar, duke depozituar:

• Aplikimin për regjistrim fillestar, të plotësuar me të gjitha të dhënat e detyrueshme sipas këtij ligji,
• Statutin dhe aktin e themelimit, në rast së janë hartuar si dy dokumente të veçanta,
• Aktet e emërimit të organeve të shoqërisë, nëse nuk përfshihen në aktet e mësipërme,
• Aktet e tjera të nevojshme për themelimin sipas legjislacionit në fuqi.


SHOQËRITË KOLEKTIVE, KOMANDITE DHE ATO ME PËRGJEGJËSI TË KUFIZUAR

Shoqëritë kolektive, komandite dhe ato me përgjegjësi të kufizuar, mund të regjistrohen, gjithashtu, duke depozituar vetëm:

• Aplikimin për regjistrim fillestar të plotësuar me të gjitha të dhënat e detyrueshme sipas këtij ligji, dokumentet e identifikimit të anëtarëve apo ortakëve,
• Dhe duke nënshkruar deklaratën e posaçme për njohjen, pranimin dhe zbatimin e dispozitave ligjore në fuqi në lidhje me organizimin dhe funksionimin e llojit të shoqërisë që regjistrohet.

Në këtë rast, aplikimi për regjistrim fillestar dhe deklarata e mësipërme, e nënshkruar sipas rastit nga ortakët, anëtarët ose nga personat e autorizuar të veprojnë në emër e për llogari të tyre, zëvendëson aktin e themelimit dhe statutin e shoqërisë.

DEGËT DHE ZYRAT E PËRFAQËSIMIT TË SHOQËRIVE TË HUAJA

Degët dhe Zyrat e Përfaqësimit të shoqërive të huaja, regjistrohen duke depozituar:

• Aplikimin për regjistrim fillestar, të plotësuar me të gjitha të dhënat e detyrueshme sipas këtij ligji, si dhe:
• Aktin e themelimit e statutin e shoqërisë se huaj, kur këto janë dy dokumente të veçantë, apo, në mungesë, aktin ekuivalent të krijimit sipas legjislacionit të huaj, si dhe tekstin e plotë të tyre me ndryshimet e mëpasme;
• Dokumentacionin, që vërteton regjistrimin e shoqërisë së huaj në juridiksionin e huaj;
• Dokumentacionin, që vërteton gjëndjen aktuale të shoqërisë së huaj, të lëshuar brenda një afati jo më shumë se 90 ditë nga data e aplikimit, me të dhënat e saj të regjistrimit dhe përfaqësimit, duke përfshirë edhe informacionin nëse është në proces likuidimi apo falimentimi;
• Bilancin e shoqërisë së huaj për vitin e fundit financiar, mbajtur sipas standardeve të kërkuara në shtetin e huaj, nëse shoqëria e huaj ka patur aktivitet për më shumë se një vit;
• Vendimin, ose aktet e tjera të organit kompetent të shoqërisë së huaj, sipas ligjit të juridiksionit të huaj për hapjen e degës ose zyrës së përfaqësimit. Aktet e kësaj pike zëvendësohen nga aplikimi për regjistrim në rastin kur personi që kërkon regjistrimin është njëkohësisht organi kompetent për të vepruar i vetëm në emër të shoqërisë së huaj.


UNIONET E KURSIM-KREDITIT

Shoqëritë dhe Unionet e kursim kredisë, si dhe shoqëritë e bashkëpunimit reciprok, regjistrohen duke depozituar në Regjistrin Tregtar:

• Aplikimin për regjistrim fillestar të plotësuar me të gjitha të dhënat e detyrueshme sipas këtij ligji,
• Statutin dhe aktin e themelimit, në rast se janë hartuar si dy dokumente të veçanta,
• Çdo dokument tjetër të kërkuar sipas legjislacionit në fuqi.


PERSONA JURIDIKË TË HUAJ

Në rastet e regjistrimit të personave juridik ose shoqërive të thjeshta me ortak, aksioner ose anëtar një person juridik të huaj, përveç dokumenteve të kërkuara, sipas llojit të subjektit, aplikimit për regjistrim fillestar i bashkëngjiten gjithashtu dokumentet e përcaktuara këtu më lart në lidhje me Degët dhe Zyrat e Përfaqësimit të shoqërive të huaja.

 

KUSHTET E APLIKIMIT


VENDI I REGJISTRIMIT

Regjistrimi i subjekteve në Regjistrin Tregtar kryhet nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit (Sporteli i QKR-së funksionon dhe pranë Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë në adresën: Rr. “Kavaja”; Nr. 6).
Regjistrimi fillestar në QKR do të thotë gjithashtu regjistrim i njëkohshëm në organet tatimore në nivel kombëtar dhe vendor, në sigurimet shoqërore dhe shëndetsore si dhe në Inspektoriatin e Punës.
QKR ofron shërbimin ndaj publikut në mënyrë të drejtpërdrejtë me sportelet e saj në qendër, si dhe nëpërmjet sporteleve të shërbimit, si ai që funksionon në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë.

DETYRIMI PËR REGJISTRIM

Subjektet që detyrohen të regjistrohen në Regjistrin Tregtar janë:

• Personat Fizik, që ushtrojnë aktivitet ekonomik tregtar;
• Shoqëritë e Thjeshta, sipas dispozitave te Kodit Civil;
• Shoqëritë Tregtare;
• Degët dhe Zyrat e Përfaqësimit të Shoqërive të huaja;
• Shoqëritë dhe Unionet e Kursim Kreditit;
• Shoqëritë e Bashkëpunimit Reciprok;
• Çdo subjekt tjetër, për të cilin parashikohet detyrimi për regjistrim në bazë të legjislacionit shqiptar.


AFATI I REGJISTRIMIT

Subjektet duhet të aplikojnë për regjistrim fillestar brenda një afati 15 ditor, përveç kur parashikohet ndryshe nga ligje të posaçme.

Afati llogaritet:

1. Nga dita e nisjes së aktivitetit, për:
a. Personat fizik,
b. Shoqëritë e thjeshta
c. Degët apo zyrat e përfaqësimit të shoqërive të huaja;

2. Nga dita e themelimit, për:
a. Personat juridikë

FORMA E DOKUMENTEVE SHOQËRUESE

Regjistrimi kryhet me dorëzimin e aplikimit përkatës, të cilit i bashkëngjiten dokumentet shoqëruese që provojnë të dhënat që regjistrohen;

Dokumentet shoqëruese duhet të dorëzohen në origjinal ose në kopje të njësuara me origjinalin dhe të jenë hartuar në formën e përcaktuar nga legjislacioni përkatës;

Dokumentet shoqëruese nuk duhet të përmbajnë korrigjime ose fshirje të pavërtetuara sipas dispozitave përkatëse ligjore, dhe përmbajtja e tyre duhet të duket qartë, të jetë e lexueshme dhe të lejojë marrjen e imazhit elektronik të dokumentit;

Dokumentet shoqëruese duhet të jenë në gjuhën shqipe. Së bashku me dokumentin shoqërues në shqip, aplikanti mund të depozitojë edhe përkthimin e vërtetuar në gjuhë të huaj. Aktet private dhe dokumentet zyrtare të juridiksioneve të huaja duhet të shoqërohen me përkthimin e vërtetuar në gjuhen shqipe dhe të legalizohen sipas ligjeve në fuqi dhe marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë.

SHQYRTIMI DHE PRANIMI I APLIKIMIT

QKR asiston aplikantin në plotësimin e aplikimit dhe verifikon:

• Identitetin e nënshkruesit dhe faktin nëse është person i autorizuar për të bërë regjistrimin;
• Plotësimin e të gjitha të dhënave të detyrueshme të kërkuara, si dhe dokumentet shoqëruese;
• Paraqitjen në formën e kërkuar të dokumentacionit shoqërues, që vërteton të dhënat që regjistrohen;
• Faktin, nëse të dhënat e shprehura në formularin e regjistrimit nuk kundërshtojnë në mënyrë të dukshme të dhënat që përmbajnë dokumentet shoqëruese të formularit;
• Faktin, nëse dokumentacioni i paraqitur nuk përmban korrigjime a fshirje të pavërtetuara sipas dispozitave përkatëse, si dhe kur përmbajtja e tij nuk duket qartë, është e palexueshme apo pengon marrjen e imazhit elektronik;
• Nëse emri i zgjedhur mund të regjistrohet;
• Pagesën e tarifës përkatëse për regjistrim;
• Faktin nëse aplikanti ka shlyer sanksionet administrative;

QKR, pasi kryen verifikimet përkatëse dhe konstaton përmbushjen e kushteve për regjistrim, sipas këtij ligji, kryen regjistrimin në Regjistër dhe lëshon çertifikatën e regjistrimit brenda një afati prej 1 ditë nga data e pranimit të aplikimit.
Regjistrimi i subjekteve në Regjistrin Tregtar përbën, gjithashtu, regjistrimin e njëkohshëm të tyre pranë autoriteteve tatimore, në skemën e sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe pranë inspektoratit të punës.

APLIKANTI

PERSON FIZIK

Aplikimi për regjistrim fillestar dhe regjistrimet e tjera të personave fizik, bëhet nga vetë personi që regjistrohet, apo nga çdo person i autorizuar prej tij.


SHOQËRITË E THJESHTA

Aplikimi për regjistrimin fillestar të shoqërive të thjeshta bëhet nga të gjithë anëtarët, apo nga çdo person i autorizuar prej tyre. Aplikimi për regjistrimet e tjera bëhet nga personat përgjegjës për përfaqësimin e shoqërisë në marrëdhënie me të tretet ose çdo person i autorizuar prej tyre.


SHOQËRITË TREGTARE

Aplikimi për regjistrimin fillestar të shoqërive tregtare bëhet:

• Nga të gjithë ortakët e një shoqërie kolektive,
• Të gjithë ortakët e “pakufizuar” të një shoqërie komandite,
• Të gjithë administratorët e një shoqërie me përgjegjësi të kufizuar,
• Të gjithë anëtarët e drejtorisë të një shoqërie anonime,
• Nga çdo person i autorizuar nga personat e përmendur më sipër.

Aplikimi për regjistrimet e tjera bëhet nga personat përgjegjës për përfaqësimin e shoqërisë në marrëdhënie me të tretët ose çdo person i autorizuar prej tyre. Aplikimi për regjistrimin e veprimeve juridike që kanë lidhje me pjesëmarrjet, kuotat apo aksionet, mund të kryhen gjithashtu dhe nga anëtari, ortaku apo aksionari, të cilit i përkasin.


DEGËT DHE ZYRAT E PËRFAQËSIMIT TË SHOQËRIVE TË HUAJA

Aplikimi për regjistrimin fillestar dhe regjistrimet e tjera të degëve dhe zyrave të përfaqësimit të shoqërive të huaja bëhet nga përfaqësuesi ligjor i degës apo zyrës së përfaqësimit, nga përfaqësuesit ligjorë të shoqërisë së huaj, apo nga çdo person i autorizuar nga njeri prej personave të përmendur më sipër.


UNIONET E KURSIM-KREDITIT

Aplikimi për regjistrimin fillestar dhe regjistrimet e tjera të shoqërive dhe unioneve kursim-kredi bëhet nga kryetari i bordit drejtues apo nga çdo person i autorizuar prej tij.


SHOQERITЁ E NDIHMЁS DHE BASHKЁPUNIMIT RECIPROK

Aplikimi për regjistrimin fillestar dhe regjistrimet e tjera të shoqërive të ndihmës e bashkëpunimit reciprok bëhet nga kryetari i këshillit administrativ ose nga çdo person i autorizuar prej tij;

SUBJEKTET E TJERA

Për subjektet e tjera, që regjistrohen në Regjistrin Tregtar sipas ligjeve të veçanta, aplikimi behet nga përfaqësuesit ligjorë, sipas përcaktimit të ligjeve përkatëse ose nga çdo person i autorizuar prej tyre.