Forumi i Biznesit “Italia – Albania: ci interessa”

    4499

    Më datë 22 shtator 2015, në ambjentet e Tirana International Hotel, u zhvillua forumi i biznesit “ITALIA – ALBANIA: CI INTERESSA”, organizuar nga Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë.

    Të pranishëm në këtë forum ishin sipërmarrësit e rinj të Konfindustria në Itali, me në krye presidentin z. Marco Gabriele Gay, përfaqësues nga autoritete të larta shtetërore, si dhe përfaqësues nga sipërmarrësit më të spikatur të vendit tonë.

    Forumi ishte organizuar në tre panele kryesore ku në panelin e parë ishin të ftuar Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Sh.T.Z. Edi Rama, Ambasadori i Italisë në Shqipëri Sh.T.Z. Massimo Gaiani, z. Marco Gabriele Gay, President i Giovani Imprenditori di Confindustria si dhe znj. Ines Muçostepa Kryetar i Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë.

    Forumin e hapi Kryetari i UCCIAL-së znj. Mucostepa me falenderime e fjalë përshëndetëse për të gjithë të ftuarit.

    “Me lejoni t’ju them se jam shumë mirënjohëse gjithë rrjetit diplomatik-konsullar, puna e të cilëve fiton rëndësi gjithmonë e në rritje për imazhin e vendit, për vendosjen e marrëdhënieve të tyre politike dhe ekonomike, për ndikimin social dhe kulturor në një botë gjithnjë e me të ndërvarur, duke përcjellë e lehtësuar marrëdhëniet e drejtëpërdrejta mes krerëve të Shteteve, të qeverisë dhe Ministrave të Jashtëm. Janë të vlefshme përvojat dhe dijet tuaja, si dhe aftësitë tuaja për të lexuar dhe interpretuar ngjarjet globale me mjete të përditësuara dhe një pavarësi e përditësuar gjykimi”, tha – kryetarja.

    Duke marrë fjalën në Forumin e Biznesit Itali-Shqipëri, Kryeministri z. Edi Rama u shpreh se sipërmarrja në vendin tonë ka hyrë tashmë në një etapë të re, duke krijuar rregulla dhe kushte të barabarta për të gjithë.

    Duke folur në Forumin e Biznesit me investitorët e rinj italianë, Rama u shpreh se tashmë kemi hyrë në një fazë të re me sipërmarrjen, ndërsa i ka ftuar këta të fundit të eksplorojnë mundësinë e investimeve.

    Është shumë e rëndësishme që ky proces i nisur me Italinë, për t’i drejtuar një mesazh të vazhdueshëm dhe konsistent sipërmarrjes italiane, arrijmë në këtë etapë ku kemi përfaqësi shumë të nderuar të industrialistëve të rinj italianë, me mendje të hapur dhe me shpirtin e nevojshëm të aventurës për t’u ballafaquar me mundësitë që ofron Shqipëria dhe për të eksploruar nga njëra anë, mundësitë e investimeve direkte në Shqipëri dhe nga ana tjetër, mundësitë e bashkëpunimeve me sipërmarrjet shqiptare.

    Kryeministri i vendit u ka premtuar investitorëve të huaj se do të gjejnë një ambient të përshtatshëm për të investuar në Shqipëri kjo falë reformave të ndërmarra nga ana e qeverisë, duke nisur me luftën pa kompromis ndaj informalitetit e deri te reforma në drejtësi.

    “Ne po bëjmë një punë si asnjëherë më parë dhe po përpiqemi të krijojmë kushtet që informaliteti të mos jetë një pengesë kaq serioze siç ka qenë dhe të krijojmë kushtet që më në fund Shqipëria të bëjë një reformë të drejtësisë që të mos jetë një tjetër mandat letrash më shumë, por një instrument për ta përmbysur sistemin e korruptuar në drejtësisë”, tha Rama.

    Pas fjalimit qe mbajti Kryeministri z. Edi Rama forumi vijoi me fjalët përshëndetëse të Ambasadorit të Italisë në vendin tonë z. Massimo  Gaiani dhe më pas presidenti i sipërmarrësve të rinj të kofindustria Italia,  z. Marco Gabriele Gay.

    Në vijimësi të forumit u diskutua për zhvillimet dhe oportunitetet në sektorët e ndërtimit, energjisë, mekanikës ku të ftuar në këtë panel ishin z. Arben Ahmetaj, Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, z. Giordano Gorini, Zëvendëskryetar i Dhomës së Tregtisë Italiane në Shqipëri si dhe administrator i “Essegei spa”, z. Mario Tonucci, Managing Partner, Tonucci& Partners Shpk, z. Silvio Pedrazzi, Drejtor i Intesa Sanpaolo Bank Albania Sh.a, z. Renis Tërshana, Drejtor Ekzekutiv i Shoqërisë “R&T Group shpk”.

    Pjesa e tretë e furumi të biznesit pasoi me diskutime mbi zhvillimet dhe oportunitetet në sektorët e turizëmit, ushqimore, shëndetësi, ku të pranishëm në panel ishin z. Steven Grunerud, Zv/president i BALFIN group, z. Kujtim Shkreli, Administrator Shoqëria “EURO – FISH shpk”, përfaqësues nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, z. Dritan BELLAJ, Administrator i  shoqërisë “EUROALB INTERNATIONAL GROUP shpk”, dhe nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve “AIDA” z. Daniel GUÇE.

    IMG_2315 IMG_2333 IMG_2338 IMG_2343 IMG_2373 IMG_2395 IMG_2465