Forumi i biznesit Shqipëri – Maqedoni, 16 mars 2016

    1861

    Zhvillohet në Tiranë, forumi i Biznesit Shqipëri – Maqedoni

    Në Tiranë u zhvillua edicioni i tretë i “Forumi i Biznesit dhe Investimeve në Shqipëri-Maqedoni”, që u mbajt më 16 mars 2016. Mbi 40 kompani maqedonase shkëmbyen kontakte me më shumë se 40 kompani shqiptare në këtë forum. Ai u organizua nga Zyra Ndërkombëtare Invest Macedonia – Shqipëri & Kosovë, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore dhe Unioni i Odave Ekonomike të Maqedonisë, nën kujdesin e projektit Enterprise Europe Network (EEN).

    Delegacioni nga Maqedonia përbëhej nga anëtarë të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore dhe Unionit të Odave Ekonomike të Maqedonisë, të cilat përfaqësonin fushat më me potencial, si: tregtia, infrastruktura, bujqësia, energjia, turizmi, ICT, manifaktura, agjenci imobiliare, etj

    Gjatë fjalës së saj, ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes znj. Milva Ekonomi tha se mes palëve janë shkëmbyer informacione të hollësishme mbi mundësitë e të bërit biznes dhe për investime direkte.

    “Nënshkruam një marrëveshja bashkëpunimi mes AIDA-s dhe Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore për më shumë bashkëpunim. Nga ana tjetër njohëm palën maqedonasë me lehtësitë që kemi miratuar për investimet strategjike, për regjistrimin e biznesit, si dhe për pajisjen me leje dhe licenca”, tha zonja Ekonomi. Sipas saj ditëve të Forumit bizneset patën mundësi që të shkëmbejnë informacione për zonat teknologjike dhe industriale.

    Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë znj. Ines Muçostepa tha se duhen krijuar mundësi reale për të rritur bashkëpunimin mes dy vende. “Bizneset kanë përfitime nga këto aktivitete. Shqipëria është partnere e denjë. Aspiratat tona janë që të shtojmë aktivitetin në Maqedoni”, u shpreh znj. Muçostepa.

    Përfaqësuesit e Odave të Maqedonisë thanë se marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve janë nën potencial dhe se ata hasin vështirësi të shumta ne mjedisin e të bërit biznes, pasi tarifat doganore dhe taksat janë ndër më të lartat.

    Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, z. Nikolin Jaka tha se Shqipëria dhe Maqedonia kanë ndarë mes tyre një miqësi të vjetër dhe kanë inkurajuar vazhdimisht bashkëpunimin institucional dhe atë midis bizneseve dhe fakti që sot gjen dhe mbështetjen Bashkimit Europian është një hap i madh dhe konkret.  “Ky aktivitet ka gjetur një mbështetje jo vetëm nga përfaqësitë e sipërmarrësve të të dy vendeve, por ajo çfarë e bën më të rëndësishme është mbështetja nga EEN, duke qenë kështu një garanci e shtuar për ne pasi kjo organizatë e Bashkimit Europian synon të lidhë sipërmarrësit e vendeve, për t’i bërë ata konkurrentë dhe bashkëpunues njëkohësisht”, u shpreh Jaka. Sipas tij përvoja e marrëdhënieve tregtare dhe e bashkëpunimit ekonomik midis Shqipërisë dhe Maqedonisë, është e gjatë dhe e qëndrueshme. Por edhe më e rëndësishme akoma është që këto shkëmbime dhe ky bashkëpunim”. Ai iu kërkoi përfaqësuesve të qeverisë shqiptare që të marrin masa për të përmirësuar infrastrukturën, kryesisht atë portuale, për ta bërë më efikase, si për vendin ashtu dhe për rajonin. Nga ana tjetër, ai theksoi se palët duhet të ndajnë mes tyre detyrat konkrete.  “Qeveria shqiptare duhet të marrë përvojat më pozitive të Maqedonisë, si ato për zonat e lira ekonomike dhe ato teknologjike dhe industriale, por edhe për sistemin fiskal tarifor që është nga më të mirët në rajon”, theksoi kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, duke u shprehur për një ekonomi komplementare dhe konkurruese në rajon.

    DSC_0766_web DSC_0780_web fullscreen