Pjesëmarrja dhe prezantimi sa më i mirë i biznesit shqiptarë në expo apo panaire të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare

    902

    Përfaqësues nga Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë dhe kryetarët e 12 dhomave të tregtisë dhe industrisë të qarqeve ishin të ftuar sot në një takim nga Ministrja  Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Znj. Milva Ekonomi në bashkëpunim me Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA).  Pjesëmarrja dhe prezantimi sa më i mirë i biznesit shqiptarë në expo apo panaire të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, ishin në fokus të këtij takimi.

    Në fillim të fjalës së saj ministrja Ekonomi u shpreh se “ky takim do shërbeje për të propozuar së bashku panairet kombëtare dhe ndërkombëtare ku duhet të marrin pjesë bizneset tona.  Është e rëndësishme që së bashku të vendosim një listë panairesh ku mund të promovojmë produktin “Made in Albania”.

    Për zgjerimin jo vetëm të biznesit, por edhe të ekonomisë shqiptare tha ministrja Ekonomi duhet që produkteve Shqiptare t’i japim zë në ato tregje ku janë shfaqur kërkesa të reja dhe në ato tregje ku produktet janë të konsoliduara dhe vetëm  mbi bazën e kësaj njohjeje duhet të organizojmë panairet e vitit të ardhshëm.

    “Prodhimet e qumështit dhe nënproduktet e tij,  janë ato produkte të cilat kanë nevojë për hapësirë, po ashtu edhe bimët medicinale, produktet e tekstili dhe lëkura, ICT-ja. Kemi tregjet e Azisë së Veriut, tregjet e lindjes së largët, të cilët kanë shprehur interes të vazhdueshëm për prodhimet shqiptare pasi ata kanë një ekonomi të hapur dhe duan shumëllojshmëri në treg. A jemi ne gati të marrim pjesë, dhe si mund ta promovojmë këtë pjesëmarrje?

    AIDA tashmë ka propozuar 11 panaire ndërkombëtare për vitin 2017. Z. Gent Beqiri, drejtor ekzekutiv i Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA) të pranishmëve u prezantoi panairet ku mund të marrin pjesë si ato në  Holandë 10-15 Janar 2017, Riva del Garda , Itali 14-17 Janar 2017, Moscone Ctr, San Francisco  22-24 Janar , 2017, Biofaq  Gjermani 15-18 shkurt , FoodexJapan  në Tokio, Japoni 7- 10 Mars 2017, EXPO Wine Bordeaux 2017, Francë 18-21 Qershor, NINGBO , Kinë Korrik  2017,The Micam 2017, Macfrut  2017,  Vakantiebeurs (Panairi i pushimeve) 2017 dhe  Fancy Food 2017 në SHBA,

    Ines Muçostepa, Kryetare e Bashkimit Kombëtar të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë shprehu mendim se  “ka ardhur momenti që ta shikojmë në mënyrë strategjike certifikimin e produkteve “Made in Albania”, siç e ka gjithë bota. Pra t’i shquajmë kush janë dhe të nisim nga çertifikimet. Detyra e Dhomave të Tregtisë patjetër që duhet të jetë me pjesën e strukturimit dhe me dhënien e ndonjë çertifikimi si produkt “Made in Albania”. Kjo do të na jap dinjitet në tregun jashtë. Këtu duhet me patjetër të kemi një shkëmbim të fortë informacioni mbi këto produkte”.

    Z.Nikolin Jaka, Kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, e quajti  këtë takim si i pari i kësaj fryme të re bashkëpunimi me të gjithë kryetarët e Dhomave të Tregtisë në një status tjetër dhe MZHETTS. Shoqata e Prodhuesve tha Z. Jaka duhet të identifikojë interesat që ka për të prezantuar produktet e veta.

    “Pjesa e Afrikës kërkon të gjitha produktet që kanë të bëjnë me fruta perime, bulmetra, qumështin dhe  produkte të pa eksploruara. Ndërkohë që është edhe Egjipti, Iraku, Irani dhe Libia, të cilat  kërkojnë vazhdimisht produkte  shqiptare. Në Europë nuk mund të shkojmë ne me produkte që nuk kane ende nje standard europian. Duhet  të certifikojmë eksportuesit dhe  të shohim mundësitë që mbulon AIDA dhe të shohim se ku jemi ne kompetitiv në produktet që kemi. Në ato vende ku ne jemi kompetitiv, dhomat e tregtisë sipas anëtarësisë që kanë duhet të hartojnë buxhetin për panairet” u shpreh Nikolin Jaka.

    Z. Arben Shkodra nënkryetar i Bashkimit Kombëtar të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë deklaroi se “duhet të hartohet një strategji e disa ministrive për eksportet njëkohësisht sinkronizim i të gjithë aktorëve”.  Z. Shkodra propozoi ngritjen e një komiteti për eksportet  dhe panairet njëkohësisht edhe pasjen e një agjencie të dedikuar eksporteve përfshi promovimin e produkteve shqiptare.

    Kryetari i Dhomës së Tregtisë Shkodër  Z. Anton Leka,  hodhi idenë e cila u mbështet edhe nga kryetarët e dhomave të qarqeve të tjera për ngritjen e 4 ose 5 qendrave për panaire në të gjithë Shqipërinë të cilat krahas reklamimit të produkteve vendase, nëpërmjet tyre do të tërheqin vëmendjen edhe për aktivitete turistike dhe të industrisë HORECA.

    Në fund të takimit ministrja Milva Ekonomi shprehu gatishmërinë e saj për të hartuar një plan veprimi mes MZHETTS dhe Bashkimit të Dhomave të Tregtisë,  duke ngritur një grup pune të përbashkët me një kalendar të rregullt takimesh dhe realizimesh të produkteve informuese dhe trajnuese.