Zhvillohet në Mynih Forumi i Parë Ekonomik për Ballkanin Perëndimor

    957

    Kryetari i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, znj. Ines Muçostepa, mori pjesë në Forumin e Parë Ekonomik për Ballkanin Perëndimor, i cili u zhvillua në Akademinë e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Mynih.

    Në aktivitet morën pjesë Ministri i Punëve të Jashtme z. Ditmir Bushati, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës z. Nikolin Jaka, Ministrja Bavareze për Çështjet Evropiane znj. Beate Merk, Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, Sekretarja e Shtetit në Ministrinë e Jashtme të Malit të Zi, znj. Vera Joličić-Kuliš, etj.

    Aktiviteti u realizua si një iniciativë e përbashkët e Ambasadës shqiptare në Berlin dhe Ministrisë Bavareze për Ekonominë, Median dhe Teknologjinë, në partneritet me Dhomën e  Industrisë dhe Tregtisë së Mynihut dhe Bavarisë së Sipërme, si  dhe Dhomën e Zejtarëve të Mynihut dhe Bavarisë së Sipërme.

    Forumi u zhvillua i ndarë në dy panele, dedikuar çështjeve politike dhe çështjeve ekonomike teknike.

    Gjatë panelit të parë u diskutua në lidhje me rëndësinë e zhvillimit ekonomik dhe bashkëpunimit të vendeve të rajonit të Ballkanit me Bavarinë, reformat që këto vende kane ndërmarë, sektorët strategjikë që ato ofrojnë për të tërhequr investitorë nga Bavaria, sikurse mundësitë që i ofrohen industrisë bavareze për investime në një strukturë prodhimi që gjendet pranë.

    Pjesa e dytë u konceptua dhe realizua në formën e një seminari profesional, e cila solli së bashku organizatat dhe shoqatat e biznesit, si dhe agjencitë e investimeve të vendeve të rajonit dhe Landit të Bavarisë.

    Forumi hodhi bazat për bashkëpunim ekonomik dhe projekte të përbashkëta në interes të palëve pjesëmarrëse, duke evidentuar rritjen e vëmendjes dhe interesit të sipërmarrësve gjermanë drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor si vende me potenciale për investime të huaja.

    14682106_1066260240154424_5402996636741454791_o 14706791_1066259306821184_5015217338334040535_o 14753272_1066258510154597_4524759335991143583_o