Këshilli i Investimeve rekomandon lehtësimin e mëtejshëm të procedurave doganore

    125

    Këshilli i investimeve zhvilloi në datën 10 maj, në ambientet e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, mbledhjen e tij të 10.

    Mbledhja, e cila u drejtua nga Ministrja Ekonomi, pati si temë kryesore: “Lehtësimin e mëtejshëm të procedurave doganore”.

    Ministrja Ekonomi vlerësoi rëndësinë e kësaj teme, pasi vjen si një kërkesë e vazhdueshme nga biznesi për lehtësimin  e procedurave doganore dhe  rritjen e konkurrueshmërisë dhe stimulimin e eksporteve. Gjithashtu, edhe si detyrim për të përmirësuar klimën e biznesit dhe renditjen e Shqipërisë në Doing Business.

    Anëtarët e Këshillit dëgjuan me vëmendje gjetjet e raportit të përgatitur nga Sekretariati i KI, lidhur me problematikat në procedurat aktuale doganore dhe disa rekomandime si mund të lehtësohen dhe përmirësohen.

    Analiza u bazua në ankesat e bizneseve të depozituara në Sekretariat gjatë periudhës 2015 – 2016 (rreth 30 ankesa), një pyetësor i hapur online  dhe u plotësua nga 23 kompani, si dhe rreth 25 takime janë zhvilluar me biznese, importuese dhe eksportuese dhe në rrethe, kompani konsulence, administratën doganore, Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Ekonomisë.

    Pas këtij anketimi, u arrit në disa gjetje dhe rekomandime që mund të grupohen në: a) rekomandime të cilat kërkojnë plotësimin e kuadrit ligjor sekondar; b) rekomandime të cilat nuk kanë nevojë për plotësime ligjore dhe nënligjore, por që kërkojnë zbatimin me rigorozitet të dispozitave doganore në fuqi nga administrata doganore; dhe c) rekomandime për realizimin e te cilave kërkohen investime dhe ndryshime operacionale/teknike.