Komisioni për vlerësimin e masave për importet diskuton masat mbrojtëse ndaj importit të Qumështit UHT

    88

    Komisioni për Vlerësimin e Masave për Importet zhvilloi mbledhjen e tij të radhës, në mjediset e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Tema e takimit ishte diskutimi mbi fillimin e një procedure hetimore për vendosjen e masave mbrojtëse ndaj importit të qumështit UHT (Ultra High Temperature), me qëllim mbrojtjen e prodhuesve vendas në këtë sektor.

    Anëtarët e Komisionit u njohën me një prezantim nga Drejtoria e Mbështetjes së Sipërmarrjes në MZHETTS, lidhur me kërkesën e sektorit të Industrisë së përpunimit të qumështit, ku analiza për vlerësimin e dëmit që i bëhet industrisë vendase nga importi i qumështit UHT u bazua në disa faktorë: Vëllimi i importeve, i cili ka pësuar një rritje të konsiderueshme prej 34 % në periudhën 2011-2016; Çmimin e importeve që ka ardhur duke u ulur nga viti në vit; Ndikimin e importeve te prodhuesit vendas.

    Komisioni ra dakord që të nisë një procedurë hetimore për vendosjen e masave mbrojtëse ndaj importeve të qumështit UHT, ku do të informohen dhe gjithë palët në këtë proces. Në takim u kërkua që në mbledhjet e ardhshme të ketë pjesëmarrje si vëzhgues edhe nga INSTAT dhe Drejtoria e Ndihmës Shtetërore.