Zhvillohet mbledhja e tretë e Komitetit për Koordinimin e Politikës Tregtare dhe Lehtësimit të Tregtisë

    182

    U zhvillua në datë 8 maj, në mjediset e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, mbledhja e radhës e Komitetit për Koordinimin e Politikës Tregtare dhe të Lehtësimit tëTregtisë, një grup ndërinstitucional që drejtohet nga Ministrja e Ekonomisë, znj Milva Ekonomi.

    Kjo është mbledhja e tretë e këtij komiteti, një nga qëllimet e të cilit është të adresojë dhe zgjidhë problematikat që bizneset hasin për çështjet e tregtisë edhe sidomos të eksportit të produkteve të tyre jashtë Shqipërisë.

    Temat kryesore të diskutuara në këtë takim të radhës ishin:

    –          Prezantimi i website të Komitetit të Lehtësimit të Tregtisë;

    –          Prezantimi i studimit për barrierat teknike në tregti për produkte bujqësore të destinuara në export;

    –          Kapacitetet administrative të Sekretariatit Teknik;

    –          Masat/hapat për lehtësimin e eksporteve të qumështit;

    –          Diskutimi i situatës së eksportit të açugeve në tregun e BE

    Ministrja Ekonomi kërkoi që diskutimi i temave në Komitet të bëhet sipas një plani 1 vjeçar të menduar lidhur me problematikat kryesore të eksporteve.

    Të pranishmit dhanë mendime për faqen e re të internetit të Komitetit të Lehtësimit të Tregtisë, e cila pritet të jetë së shpejti online. Ministrja Ekonomi kërkoi që përveç informacioneve për eksport në vende të BE dhe CEFTA që janë më të qarta, të përfshihet sa më shumë informacion për eksport në vende të tjera si SHBA apo Turqi etj, në mënyrë që prodhuesit të gjejnë lehtësisht se çfarë procedurash duhet të zbatojnë që të eksportojnë produktin e tyre drejt një vendi të caktuar.

    E pranishme në këtë mbledhje ishte edhe Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Znj.Ines Muçostepa.