Lehtësimi i klimës së biznesit, takim mes MZHETTS dhe InfoCamere

    186

    Në ambientet e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes u zhvillua një takim me përfaqësues të InfoCamere, që është një Konsortium i Dhomave të Tregtisë Italiane. Të pranishëm në këtë takim ishin përfaqësues nga MZHETTS dhe institucionet e saj të varësisë, përfaqësues nga institucione të tjera shtetërore, kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, znj. Ines Muçostepa, si dhe përfaqësues të tjerë të biznesit. Qëllimi i këtij takimi ishte ndarja e eksperiencave mes dy vendeve në drejtim të reduktimit të barrierave administrative dhe përmirësimit të klimës së biznesit, si dhe diskutimi mbi mundësitë konkrete të bashkëpunimit në kuadër të projekteve të përbashkëta me institucionet publike të Shqipërisë. Përfaqësuesit e MZHEETS vlerësuan se ky takim është një mundësi e mirë për shkëmbimin e eksperiencave të lehtësimin e jetës së biznesit dhe forcimit të bashkëpunimit në këtë kuadër. Drejtoresha e Përgjithshme e Zhvillimit Ekonomik në MZHETTS, znj. Mirela Muça përmendi disa nga arritjet pozitive të Shqipërisë në drejtim të përmirësimit të klimës së biznesit, përmirësime që janë konstatuar edhe nga raportet e ndryshme ndërkombëtare, si raporti i Bankës Botërore “Doing Business 2017” apo dhe Raporti i Konkurrueshmërisë Globale 2016-2017, duke theksuar se ende ka shumë për të bërë në këtë drejtim. Menaxheri i Përgjithshëm  i InfoCamere, Z. Paolo Ghezzi bëri një prezantim lidhur me eksperiencën italiane të klimës së jetës së biznesit. Prezantimi u fokusua në regjistrin e ndërmarrjeve italiane, “registroimprese.it”, një platformë elektronike që menaxhohet nga Infocamere, me informacion të certifikuar mbi kompanitë e biznesit,  autoritete publike apo profesionistë. Takimi u zhvillua në formën e një bashkëbisedimi, ku pjesëmarrësit u njohën me mënyrën se funksionon sistemi i regjistrimit të biznesit në dy vendet tona, lehtësitë e ndryshme që ofrohen për sipërmarrjen dhe mbi bashkëpunimin në të ardhmen mes autoriteteve përgjegjëse për biznesin dhe lehtësimit të klimës së tij.