Informacion me interes për bizneset e interesuara për futjen e teknologjive të reja në proceset e biznesit të tyre

    142

    Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë ju informon se në kuadër të nxitjes dhe rritjes së bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Republikës Çeke, Ambasadori i RSH në Ceki, z. Riza Poda zhvilloi një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Bankës Çeke të Export-importit, z. Karel Bures, ku u diskutua lidhur me mundësinë e finacimit nga kjo bankë të importeve të teknologjisë çeke nga kompani shqiptare, si dhe gjetja e rrugëve dhe mundësive që kjo bankë te financojë/mbështesë bizneset shqiptare, të interesuara të importojnë teknologji çeke për ngritjen dhe zgjerimin e aktivitetit të tyre ekonomik.

     

    Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Bankës Çeke të Export-Importit, banka që ai drejton parimisht mund të kreditojë dhe është e gatshme të kreditojë deri në 85% të importeve të linjave përpunuese çeke nga biznesi shqiptar, me një afat shlyerje 10 vjeçar dhe përqindje interesi 3.5%, terma që dhe mund te negociohen, me kusht garanci shtetërore.

     

    Kompanitë shqiptare të interesuara për teknologjinë çeke dhe financim nga kjo bankë duhet të shprehin interesin konkret për linjat dhe teknologjinë përkatëse të kompanive prodhuese çeke, mundësitë e tyre të financimit dhe atë që në gjuhën e bankave quhet “export insurance”. Pas kësaj Banka e Export-Importit, sipas procedurave standardeve, bën studimin e vet/analizën e riskut dhe më pas informon kompaninë e interesuar shqiptare për kredinë që mund të ofrojë për financimin e eksportit të teknologjisë çeke në Shqipëri dhe kushtet përkatëse.

     

    Banka Çeke e Eksport-Importit mund të kreditojë direkt bizneset shqiptare në marrëveshje me Ministrinë Financave të Shqipërisë dhe ministrinë tjetër të linjës që mbulon atë lloj biznesi, psh të Bujqësisë, ose përmes një marrëveshjeje mes dy shteteve.