Publikohet faqja e internetit të Komitetit Kombëtar të Lehtësimit të Tregtisë

    130

    Në zbatim të Urdhërit të Kryeministrit Nr.80 datë 12.05.2016 “Për ngritjen e Grupit Ndërinstitucional për Koordinimin e Politikës Tregtare dhe Lehtësimin e Tregtisë” pranë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes është krijuar  Komiteti Kombëtar i Lehtësimit të Tregtisë.

    Kjo strukturë e re e krijuar edhe në përputhje me detyrimet ndërkombëtare që rrjedhin nga Marrëveshja më e fundit e OBT mbi Lehtësimin e  Tregtisë, ka ndihmuar më tej komunitetin e biznesit në minimizimin e barrierave tregtare që ekzistojnë kryesisht me vëndet anëtare në BE dhe CEFTA.

    Nga ana tjetër kjo strukturë ka shërbyer si një platformë dialogimi midis qeverisë, biznesit dhe donatorëve, duke mundësuar në këtë mënyrë kanalizimin e duhur të ndihmës dhe zgjidhjes së problemeve të komunitetit të biznesit në kohë reale.

    Ky komitet ka zhvilluar përkatësisht tre mbledhje dhe sekretariati teknik i kësaj strukture ka mundësuar realizimin e detyrave të dala nga këto takime.

    Në këtë kuadër, një iniciativë shumë e rëndësishme e kësaj strukture drejtuar nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes është patjetër edhe aspekti informues mbi zhvillimet më të fundit ligjore dhe administrative për komunitetin e eksportuesëve shqiptarë. Për këtë qëllim me mbështetjen e USAID dhe ekspertizën e Institutit të Politikave Publike dhe Private (IP3) është hartuar faqja e internetit të këtij Komiteti. Në këtë kuadër dëshirojmë të informojmë të gjithë eskportuesit shqiptarë dhe jo vetëm, mbi mundësinë e re që qeveria shqiptare i ka krijuar mbarë komunitetit të biznesit. Faqja mund të aksesohet në linkun www.tregtia.gov.al