Zhvillohet mbledhja e 11-të e Këshillit të Investimeve

    343

    Këshilli i Investimeve (KI) zhvilloi më 6 Dhjetor 2017 mbledhjen e tij të 11-të, të drejtuar nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Z. Arben Ahmetaj.

    Në fokus të mbledhjes ishte prezantimi dhe diskutimi i gjetjeve të vrojtimit me 146 biznese, kryer nga Sekretariati i KI në bashkëpunim me Univesitetin Epoka gjatë periudhës Korrik – Shtator 2017.

    Vrojtimi kishte për qëllim evidentimin e ecurisë së shqetësimeve kryesore të biznesit, krahasuar me gjetjet e Sekretariatit gjatë 2015-2016, kryesisht lidhur me Inspektimin Tatimor dhe Marrëdhëniet me Administratën Tatimore, Informalitetin, dhe Rimbursimin e TVSH-së. Të pranishëm në mbledhje ishin dhe përfaqësues të shoqatave të biznesit vendas dhe të huaj.
    Në fjalën e tij, Ministri Ahmetaj vlerësoi arritjet e Këshillit të Investimeve në trajtimin e shqetësimeve të biznesit si dhe njohu nevojën për përpjekje të vazhdueshme nga ana e administratës tatimore për intensifikimin e komunikimit me tatimpaguesit dhe qytetarët në kuadër të luftës kundër informalitetit, thjeshtimit të mëtejshëm të procedurave dhe reformës së derregullimit.

    Reduktimi i burokracive administrative, rritja e profesionalizimit të administratës por dhe incentivimi i bizneseve të ndershme dhe që investojnë janë disa nga kërkesat kryesore të biznesit për të nxitur formalizimin e shpejtë të ekonomisë dhe investimet private.
    Anëtarët e Këshillit vlerësuan gjetjet e vrojtimit dhe shprehën angazhimin për të bashkëpunuar me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë për të rritur eficencën e masave anti-informalitet.

    Ndër të tjera u sugjerua përgatitja e një strategjie të mirëfilltë gjithëpërfshirëse kundër informalitetit, ndërmarrja e fushatave ndërgjegjësuese me publikun për formalizim dhe ndërveprim të vazhdueshëm me bizneset duke nënkuptuar konsultim dhe llogaridhënie.

    E pranishme në këtë takim ishte edhe Sekretarja e Përgjithshme e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Znj. Majlinda Manushi.