Zhvillohet Samiti i vendeve të Ballkanit Perëndimor. Lançohet platforma online e investimeve

    362

    Është zhvilluar në datë 26 shkurt në Londër, Samiti i vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë Samit të organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), morën pjesë Kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, midis tyre edhe Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama.

    Kryeministri Rama, duke radhitur tre prioritetet kyçe të Shqipërisë në drejtim të infrastrukturës, theksoi se, në kushtet aktuale, pra pa financime shtesë, autostradës Adriatiko-Joniane, që është një prej projekteve më të rëndësishme të rajonit, do t`i duheshin më shumë se 5 dekada për t’u përfunduar.

    Sa i përket dy prioriteteve të tjera, Kryeministri shqiptar rradhiti tregun e përbashkët në Ballkan si dhe digjitalizimin, që vijon të mbetet një sfidë kyçe për rajonin.

    Sa i përket tregut të përbashkët, ai vuri theksin te pengesat e shumta doganore mes dy vendeve, që aktualisht përkthehen në rreth 3600 orë pritje nëpër kufij.

    Në këtë Samit, u lançua edhe platforma online e investimeve.

    Platforma online e investimeve, iniciativë e WB CIF (Forumi i Investimeve të Dhomave të Tregtisë të Ballkanit Perëndimor) , ka për qëllim lehtësimin e aksesit në treg dhe rritjen e investitorëve të huaj në rajon. Platforma online do ti ofrojë investitorëve të huaj akses të vazhdueshëm në mundësitë për të investuar në Ballkanin Perëndimor.