Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë takohet me Ambasadorin e Turqisë në Tiranë, SH.T.Z Murat Ahmet Yörük

    189

    Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Znj. Ines Muçostepa u takua në datë 22 maj me Ambasadorin e Turqisë në Tiranë, SH.T.Z  Murat Ahmet Yörük

    Ambasadori i Turqisë, SH.T.Z Yörük vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet dy shteteve dhe theksoi se Ambasada e Turqisë në Tiranë ka bërë përpjekjet e saj për të forcuar dhe përmirësuar mekanizmat e bashkëpunimit, por se pavarësisht dëshirës të dy qeverive respektive, bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve ka nevojë për motivim.

    Ambasadori u ndal edhe tek ATTSO, e cila është Dhoma e përbashkët e Tregtisë Shqipëri-Turqi, të cilën e vlerësoi si një mekanizëm të fortë.

    SH.T.Z Yörük theksoi se rreth 400 kompani turke operojnë në Shqipëri në sektorin e energjisë, minierave, tekstilit, por pavarësisht këtyre sektoreve, ai theksoi se sektori i përbashkët ku dy vendet mund të bashkëpunojnë është turizmi.

    Në këtë sektor, sipas Ambasadorit, Shqipëria ofron shumë avantazhe krahasuar me vendet e tjera për disa arsye, të tilla si:

    Shqipëria mund të vizitohet pa patur nevojë për vizë

    Është shumë afër me Turqinë

    Klima është e favorshme

    Deti është i pastër.

    Gjithashtu, Ambasadori propozoi organizimin e një konference të përbashkët për turizmin.

    Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Znj. Ines Muçostepa shprehu vlerësimin e saj për punën që Ambasada Turke kishte bërë dhe dëshironte të bënte. Znj. Muçostepa shprehu iniciativën e saj për krijimin e një forumi të përbashkët ekonomik midis dy vendeve, forum i cili mund të organizohej në bashkëpunim me TOBB, të cilën ajo e vlerësoi si një ndër dhomat e tregtisë më të fuqishme. Znj. Muçostepa u shpreh gjithashtu se prania e TOBB në një vizitë zyrtare në vendin tonë do të ishte një shembull i mirë për të gjitha dhomat për t’u njohur me mekanizmat dhe strukturën e kësaj dhome. Gjithashtu, Znj. Muçostepa shprehu se do të ishte mirë që midis Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë dhe TOBB të nënshkruhej një Memorandum Bashkëpunimi.