Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë organizon takim me përfaqësues të Qendrës së Bankës Botërore për Reformën e Raportimit Financiar Vjenë

    182

    Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë organizoi ditën e sotme takim me dy përfaqësuesit e Qendrës së Bankës Botërore për Reformën e Raportimit Financiar, me vendodhje në Vjenë, Znj. Lejla Begtasevic Rudalija dhe Z. Patrick Kabuya.

     

    Takimi u fokusua tek përmirësimi i manaxhimit financiar tek bizneset SME, si funksionon ky manaxhim, nevojat që kanë, roli i kontabilistit dhe audituesit dhe se çfarë mund të bëhet në këtë drejtim.

     

    Takimi u organizua në dy linja. Fillimisht u organizua një takim midis përfaqësuesve të Bankës Botërore dhe përfaqësuesve të Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë dhe më pas Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë organizoi një takim midis përfaqësuesve të Bankës Botërore dhe disa sipërmarrjeve.

     

    Takimi i parë u fokusua në rolin që Dhomat e Tregtisë mund të luajnë në drejtim të përmirësimit të manaxhimit financiar. Sipas Z. Kabuya, vetëm një nga pesë SME mund të mbijetojnë në 18 mujorin e parë të krijimit të tyre. Pjesa tjetër është e destinuar të dështoj, pikërisht nga mangësitë dhe problematikat në manaxhimin financiar.

     

    I pranishëm në këtë takim ishte edhe eksperti kontabël, Z. Artan Xhiani, i cili u shpreh se problematikat me të cilat ndeshen SME-të në vendin tonë janë të shumta. Një ndër këto problematika është edhe ligji fiskal në Shqipëri, i cili ndryshon shpesh. Gjithashtu, informaliteti mbetet ende një ndër problematikat kryesore. Z. Xhiani u shpreh se duhet të ketë një bashkëpunim më të mirë ndërmjet bizneseve dhe institucioneve qeveritare sepse është shumë e rëndësishme të dëgjohet zëri i SME-ve në mënyrë që ato të rriten. Nësë mund të rrisim SME-të, atëherë mund të rrisim dhe zhvillojmë më tej ekonominë. Këtë ndërmjetësim e luan Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë.

     

    banka boterore 1

     

    Ekspertët e Bankës Botërore u shprehën se vet bankat mund të jenë suportuese të bizneseve nëpërmjet kredive që lëshojnë, por Z. Xhiani u shpreh se marrëdhënia e bizneseve dhe bankave është e komplikuar në shumë aspekte. Sektori më problematik në lidhje me bankat është agrikultura. Kjo sepse trualli shpeshherë nuk pranohet si kolateral nga bankat për vetë problemet e pronësisë që ekzistojnë me truallin në vendin tonë.

     

    Në takimin me sipërmarrësit, të pranishëm ishin:

    Z. Edmond Cami, Kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Dibër, si dhe përfaqësues i sektorit të minierave

    Z. Edmond Isaku, përfaqësues i sektorit të minierave, ndërtimit, hotelerisë, telekomunikacionit

    Znj. Renata Muça, përfaqësuese e sektorit të agroturizmit dhe prodhimeve të bulmetit

    banka boterore 2

    Ndër problematikat që bizneset paraqiten ishin:

     

    Paragjykimi- Sipas Z. Edmond Isaku, një biznes i ri që në fillimet e tij ka tendencën të jetë i paragjykuar, në krahasim me bizneset që kanë më tepër eksperiencë. Paragjykimi ekziston edhe nga institucionet hua dhënëse, siç janë bankat.

     

    Informaliteti- Përfaqësuesit e sipërmarrjeve të pranishëm shprehën se informaliteti është ende shumë i pranishëm në vendin tonë dhe pengon rritjen e fitimit, si dhe krijon konkurrueshmëri të pandershme.

     

    Trajnimi- Nga përfaqësuesit e pranishëm u pa e domosdoshme organizimi i trajnimeve për financierët e kompanive, por edhe për administratën shtetërore.

     

    Në fund të takimit, përfaqësuesit e Bankës Botërore sugjeruan që Dhomat e Tregtisë mund të bëjnë studime të pavarura në lidhje me problematikat që kanë SME-të dhe t’ja paraqesin ato qeverisë, si dhe mund të bashkëpunojnë me institucione të huaja si EBRD, IFC etj.

    banka boterore 3