PROJEKTI INTERACT 4.0 ITALI-SHQIPËRI-MAL I ZI ZHVILLON TAKIMIN E PARË NË TIRANË

    320

    Në kuadër të Programit Interreg IPA CBC Itali-Shqipëri-Mal i Zi është zhvilluar në Tiranë , takimi i parë i projektit Interact 4.0 , mbështetur në inovacionin e katërfishtë, që lidh sistemet e arsimit , shkencës , ndërmarrjeve private dhe institucioneve shtetërore . Qëllimi i këtyre projekteve është padyshim edhe krijimi i mjediseve për të nxitur sipërmarrjen, krijimi i bazave për një integrim konkret dhe zhvillim të mëtejshëm të tri vendeve Itali-Shqipëri-Mal i Zi. Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Znj.Ines Muçostepa e pranishme në zhvillimet e punimeve të këtij takimi të parë, u shpreh ndër të tjera se, Inovacioni është kusht për çdo lloj biznesi, në mënyrë që ai të qëndrojë në treg e të ketë sukses të vazhdueshëm dhe të qendrueshëm dhe në rastin e ofrimit të shërbimeve inovacion është mënyra e sjelljes me klientët apo afatet e ofrimit të shërbimit. Në të dyja rastet, rritja e cilësisë së produktit të ofruar, mall apo shërbim qoftë, është gjithashtu inovacion.

     

    interact 1

    Shqipëria ka aktualisht rreth 152,288 biznese të regjistruara nga të cilat mbi 98% janë SME. “Përbërja sektorale anon më tepër drejt veprimtarive me teknologji të ulët (punësimi në bujqësi mbetet relativisht i lartë) dhe eksportet janë të ulëta si në terma absolute ashtu dhe relative. Klima e biznesnit është e pasigurtë për shkak të ndryshimeve të vazhdueshme legjislative”, tha Znj. Muçostepa.

     

    interact 2.2

     

    Sipas saj, duke parë këtë analizë mund të kuptojmë se Shqipëria është një vend i cili qendron shumë prapa barrierave të fundme teknologjike të sotme dhe është duke u zhvilluar sipas paradigmave të modelit Heckscher–Ohlin, i cili është një model matematik, për të caktuar skemën e shkëmbimit të të mirave material në tregtinë ndërkombëtare, i zhvilluar në Stockholm School of Economics.

    Duke cituar bazat teorike, Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, theksoi se Shqipëria eksporton më shumë forcën e krahut në bizneset e modelit fason, megjithë avantazhet konkuruese, të cilat qëndrojnë tek materialet që mund të vijnë nga industria minerare, nëntoka dhe potencialisht tek bujqëisa.

    “Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë- cilësoi Znj. Muçostepa- ka dhënë kontributin e saj në projekte të ndryshme mbi inovacionin, për një sfidë të së ardhmes, për zhvillimin e ekonomisë shqiptare dhe të Adriatikut..”.

    interact 3

    InTERaCT 4.0 është një projekt që po zbatohet nga gjashtë partnerë: Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Qendra e Promovimit të Biznesit dhe Ekonomisë, Dhoma e Tregtisë, Industrisë, Artizanatit dhe Bujqësisë Bari, Universiteti i Salentos, Dhoma Ekonomike e Malit të Zi, Universiteti Mesdhetar i Malit të Zi. Projekti financohet nga Programi Interreg IPA CBC Itali-Shqipëri-Mal iZi.

    Rajoni i Puglias, Shqipëria dhe Mali i Zi janë të lidhura me marrëdhënie të mira ekonomike, të cilat vazhdojnë të forcohen nëpërmjet procesit të përshtatjes ndaj standardeve evropiane që Shqipëria dhe Mali iZi duhet të përmbushin në kuadër të antarësimit në Bashkimin Evropian. Rajoni sot përballet me sfidën e inovacionit, perms modelit të fabrikës inteligjente, të pajisur me pajisje vetë-kontrolluese në linjat e prodhimit, përshkallëzimit të procesit digjital në kompanitë dhe lidhje të ngushtë ndërkufitare. INTERACT 4.0 do të nxisë zhvillimin e këtij modeli rritjeje, nëpërmjet katër aksioneve kyçe.