Mblidhet Komiteti i Lehtësimit të Tregtisë, Ahmetaj: Zgjerim të tregut të investitorëve

    243

    Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit, anetare të marrëveshjes CEFTA do të fillojnë heqjen e tarifat doganore për produktet industriale e më pas për ato bujqësore. Ministri i Financave Arben Ahmetaj ka mbledhur në një takim krerë të institucioneve përgjegjëse ku u kërkoi që të nisin përgatitjet për harmonizimin e tregut rajonal.

    Pas takimit me krerët e doganave në vendet anëtare të CEFTA-s ka nisur puna për harmonizimin e procedurave dhe tarifave doganore. Në një takim me drejtues të institucioneve shqiptare, ministri Arben Ahmetaj tha se puna do të nisë me heqjen e tarifave të produkteve industriale.

    “Zona Ekonomike Rajonale, apo siç i referohemi në tryezat rajonale REA – një zonë e integruar ku mallrat, shërbimet, investimet dhe fuqia punëtore e kualifikuar mund të lëvizin pa pengesa brenda 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, me qëllim rritjen e atraktivitetit ekonomik të rajonit, zgjerimin e tregut për investitorët potencial, krijimin e zinxhirit të vlerave rajonale dhe përmirësimin e marrëdhënieve tregtare brenda WB6 dhe BE-së,” tha Ahmetaj.

    Sipas kreut të financave nisma do të ndihmojë në tregtinë e lirë,uljen e kostove dhe konkurrencën e ndershme.

    “Ekonomitë e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor janë të angazhuara për të krijuar një zonë ekonomike rajonale (REA në CEFTA), për të tërhequr më shumë investime, nëpërmjet uljes së kostos së tregtisë dhe minimizimin e pengesave jo tarifore, për lehtësimin e tregtisë së mallrave; harmonizimin e tregjeve të CEFTAs me BE, krijimin e mekanizmit për zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve tregtare, që ka qenë dhe pjesë e debateve të fundit në tryezën e CEFTAs,” tha Ahmetaj.

    E pranishme në këtë mbledhje ishte edhe Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Znj. Ines Muçostepa.