Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë përgjigje Erion Braçe-s

    143

    21 organizata të biznesit iu përgjigjen sot disa qëndrimeve që ata i quajtën të rrezikshme ndaj zv/kryeministrit Erion Braçe.

    “Zyrtari i dytë më i lartë i qeverisë, vetë zëvendës kryeministri i vendit, Z. Erjon Braçe, u shfaq sërish me qëndrime publike shumë agresive ndaj biznesit. Në dukje, në mbrojtje të punëtorëve, ai i fryn fort ndezjes së një konflikti social. Këto qëndrime duatrokiten fort në Shqipëri dhe vende të tjera të varfëra, ku sundon mendimi se dikush është i varfër, ngaqë dikush tjetër është i pasur. Aq më shumë kur ato vijnë nga një zyrtar i lartë. Sepse, në Shqipëri, ende, sipërmarrësi apo kapitalisti, ashtu si në komunizëm, shikohet si “gjakpirës”, “shfrytëzues”, “i pashpirt”. Pra fiks si barbar, ashtu siç thotë edhe z.Braçe.

    Ne jemi të shtrënguar të reagojmë pas këtyre deklarimeve, për shkak se kjo tashmë nuk është një lajthitje, apo një deklaratë mitingjesh politike, por është një qëndrim i përsëritur i zotit Braçe.

    Ne jetojmë në të njëtin vend dhe jemi pjesë e të njëjtës shoqëri si dhe zoti Braçe. Por realitetin e njohim shumë më mirë se ai.

    PO, është e vërtetë se ka sipërmarrës që kanë abuzuar me punën e zeze. Kjo ka ndodhur dhe ndodh kur vetë shteti eshtë bashkëpunëtor me këtë model sipërmarrjeje.

    Është e vërtetë se ka patur e ka sipërmarrës që i keqpaguajnë dhe nuk deklarojnë punëtorët, por gjithmonë me bekimin e “padronit” bashkëpunëtor, që janë institucionet ligjzbatuese publike.

    Po ashtu, është e vërtetë se shumë sipërmarrës të ndershëm thyejnë kokën përballë konkurencës të atyre sipërmarrësve që favorizohen nga zyrtarët e korruptuar,

    Ne si përfaqësues të sipërmarrjes së ndershme, kemi mbështetur çdo nismë të qeverisë shqiptare në luftën kundër informalitetit. Jemi kundër çdo modeli sipërmarrjeje që shkel ligjin dhe cënon liritë e të drejtat e njeriut.

    Problemi është se zoti Braçe nuk flet si zëvendës kryeministër, sepse Zv/Kryeministri flet me emra, flet me fakte, flet me numra, me shifra dhe mban qëndrime, propozon ligje dhe akte nënligjore për të mbrojtur të dëmtuarit nga sipërmarrësit dhe zyrtarët e korruptuar. Z.Braçe bën akuza kolektive kundër sipërmarrësve, duke ngritur një frymë urrejtjeje dhe revolte, jo vetëm të panevojshme, por shumë të dëmshme për situatën që po përjeton Shqipëria dhe mbarë njerëzimi.

    Zoti Braçe, na drejtohet duke na thënë: Urdhëroni, bëjeni atë biznes pa punëtorë. Jo, zotëri, biznesi nuk bëhet pa punëtorë.

    Por, urdhëro edhe Ti zoti Braçe, bëje ekonominë pa sipërmarrjen private. Megjithë dëshirën e ndokujt për të rieksperimentuar në modele ekonomike, çdo shqiptar e di mirë se çfarë solli modeli 45 vjeçar i komunizmit.

    Sipërmarrja private zoti Braçe është punëdhënësi më i madh. Është edhe kontriburesi më i madh në ekonominë kombëtare dhe në arkën e shtetit. Ndërsa shteti duhet të miratojë ligje dhe të kontrollojë zbatimin e tyre, për të rregulluar marrëdhëniet e punës mes biznesit dhe punëtorit, si dhe mes biznesit dhe shtetit.

    Kaq zoti Braçe!

    Nëse kjo nuk ka funksionuar, nuk është faji i biznesit të ndershëm, por i shtetit me bashkëpunëtorët e informalitetit dhe evazorëft fiskalë.

    Sot biznesi ka nevojë për tu mbështetur që të mos rrëzohet nga kriza, dhe nuk ka nevojë për thirrje revolucionare që “proletarët” tiu vënë flakën magazinave. Sepse biznesi nuk është balena e dhjamur, që kur ngec në breg, të gjithë sulen të shkisin çtë munden për të mbushur stomakun para dimërimit.

    Kjo deklaratë është reagim i organizatave të biznesit:

    Forumi Ekonomik Mbarë-Shqiptar
    Shoqata e Operatorëve Turistikë
    Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë
    Dhoma e Fasonëve të Shqipërisë
    Dhoma Italiane e Tregtisë në Shqipëri
    Shoqata e Transportuesve Ndërkombëtarë të Udhëtarëve
    Shoqata e Transportit Ndërqytetas dhe Rrethqytetas i Udhëtarëve
    Shoqata e Transporti Urban dhe Interurban Kamëz-Veri
    Shoqata Shqiptare e Turizmit
    Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë
    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës
    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Fier
    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Vlorë
    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Elbasan
    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Berat
    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë
    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Korçë
    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Gjirokastër
    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Lezhë
    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kukës
    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Dibër