Asambleja e Përfaqësuesve

Asambleja e Përgjithshme e Bashkimit të Dhomave është organi më i lartë vendimmarrës. Ajo zgjidhet për një periudhë 4-vjeçare dhe përbëhet nga 121 anëtarë. Numri i anëtarëve të secilës Dhomë në Asamblenë e Përgjithshme të Bashkimit të Dhomave është në përpjesëtim te drejte me numrin e anëtarëve të çdo Dhome.

Anëtarët e asamblesë janë persona, që kanë zotësi të plotë për të vepruar, gëzojnë reputacion në komunitetin e biznesit të zonës që përfaqësojnë, dhe nuk kanë qenë të dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për vepra penale.

Anëtarët e asamblesë duhet të jenë të autorizuar nga Dhoma që përfaqësojnë për të ushtruar të drejtën e votës në asamble.

Anëtari i Asamblesë mund të mos e përfundojë mandatin në rastin kur:

  • Kur shkel dispozitat e këtij ligji dhe të ligjeve të tjera në fuqi, si dhe statutin e Dhomës që përfaqëson dhe/ose Bashkimit të Dhomave;
  • Është në pamundësi për të ushtruar mandatin e tij (arsye shëndetësore, personale etj);
  • Nuk merr pjesë, pa pasur një motiv të justifikueshëm, në dy mbledhje të zakonshme të njëpasnjëshme të Asamblesë;
  • Dënohet nga gjykata për kryerjen e një vepre penale;
  • Nuk vazhdon te ushtroje funksionet përkatëse në Dhomën që përfaqëson.

Në rastin e largimit të një anëtari të Asamblesë, Dhoma përkatëse duhet ta zëvendësojë atë menjëherë me një anëtar të ri shoqëruar me autorizimin për përfaqësim. Mandati i anëtarit të ri zgjat deri në përfundim të mandatit 4-vjeçar të Asamblesë.

Zgjedhjet për Asamblenë e ardhshme duhet të zhvillohen brenda 45 ditëve nga data e  përfundimit të mandatit të Asamblesë aktuale.

Asambleja, në mbledhjen e saj të fundit, miraton rregullat dhe procedurat për zgjedhjen e Asamblesë së re, të propozuara nga Kryesia.

Kompetencat e Asamblesë

Asambleja në veçanti ka këto kompetenca:

  1. Shqyrton dhe përcakton drejtimet kryesore të veprimtarisë së Bashkimit të Dhomave.
  2. Miraton statutin dhe ndryshimet e tij dhe ia dërgon ato për miratim ministrit.
  3. Zgjedh nga anëtarët, me votime të fshehta e të veçanta, kryesinë, kryetarin dhe anëtarët e komisionit të auditimit.
  4. Miraton programin dhe buxhetin vjetor të Bashkimit të Dhomave brenda tre-mujorit të parë të çdo viti.
  5. Shqyrton e miraton raportin vjetor të veprimtarive në përgjithësi, dhe të veprimtarisë financiare të Dhomës.
  6. Përcakton masën e kuotizacionit vjetor të dhomave, mënyrën e vjeljes së tij, si dhe ia dërgon për miratim organit mbikëqyrës.
  7. Miraton akte të ndryshme për funksionimin dhe organizimin e Bashkimit të Dhomave.
  8. Miraton formën e regjistrit të anëtarësisë dhe mënyrën e mbajtjes së tij si për anëtarët e Bashkimit të Dhomave, ashtu dhe për vetë Dhomat e Qarqeve.

Funksionimi i Asamblesë

Asambleja e përgjithshme mblidhet të paktën një herë në vit. Të drejtën për ta mbledhur asamblenë e kanë Kryetari i Bashkimit të Dhomave, kryesia, apo kur këtë e kërkon 1/3 e anëtarëve të saj. Mbledhjet e asamblesë së përgjithshme drejtohen nga Kryetari i Bashkimit të Dhomave. Mbledhja thirret nga kryetari, kryesia ose kur këtë e kërkon 1/3 e anëtarëve të saj. Kur kryetari, brenda 15 ditëve nga marrja e kërkesës, nuk mbledh asamblenë, atëherë kërkuesi ka të drejtë ta mbledhë vetë asamblenë, duke e lajmëruar për datën, orën, vendin dhe rendin e ditës së mbledhjes. Dërgimi i materialeve dhe njoftimi për datën e mbledhjes bëhet të paktën 15 ditë para datës kur do të zhvillohet mbledhja.

Mbledhja e asamblesë është e vlefshme kur në të marrin pjesë më tepër se gjysma e anëtarëve të saj. Vendimet e Asamblesë janë të vlefshme kur për to votojnë pro më shumë se 3/5 e anëtarëve të pranishëm.

Në rastet kur zgjidhet kryesia, kryetari dhe anëtarët e komisionit të auditimit, duhet plotësuar kuorumi prej jo më pak se 2/3 të anëtarëve të asamblesë. Vendimi i asamblesë për këto raste është i vlefshëm kur për to votojnë jo më pak se ½ e anëtarëve të pranishëm. Votimi mund të jetë i hapur ose i fshehtë. Në mbledhjet e Asamblesë nuk lejohet delegimi në pjesëmarrje dhe në votim.

Vendimet e asamblesë shënohen në një procesverbal, i cili nënshkruhet nga kryetari i Bashkimit të Dhomave dhe sekretari i mbledhjes, i cili është punonjës i administratës së Bashkimit të Dhomave dhe emërohet nga Kryetari.

Asambleja, ashtu si edhe Kryesia, mund të  krijojë komisione të veçanta, të përbëra nga vetë anëtarët e Asamblesë, me qëllim trajtimin e çështjeve me rëndësi për aktivitetin e Bashkimit të Dhomave. Këto Komisione kanë një rol rekomandues, propozues apo këshillimor, dhe mund të jenë të përhershme (gjatë gjithë mandatit të Asamblesë), ose të përkohshme.

Lista e anëtarëve të asamblesë