Historiku

HISTORIKU I BASHKIMIT TË DHOMAVE TË TREGTISË DHE INDUSTRISË SË SHQIPËRISË.

Historia e një institucioni është pjesë e historisë së një shoqërie dhe natyrshëm edhe e një vendi. Nga regjimi i përmbysur i së kaluarës komuniste, lidhur me Dhomën e Tregtisë të Shqipërisë, trashëguam një burim të dhënash që e kishin zanafillën nga viti 1958, që quhej viti i lindjes apo i krijimit të institucionit të Dhomës së Tregtisë, si një organizatë shoqërore.

Në vitet 1923-1940, Dhomat e Tregtisë jo vetëm zhvillohen mjaft, aq sa shpesh kthehen në pjesë të pazëvendësueshme të ingranazhit të administratës shtetërore, por funksionet e tyre kanë një shtrirje mjaft të gjerë dhe me shumë kompetenca. Pas vitit 1925, po sidomos gjatë viteve 1926 – 1928, shohim një gjallërim të jetës së dhomës tregtare dhe industriale, siç do të emërtohej dhoma, kur kryetar i saj do të jetë një industrialist dhe organizator i shkëlqyer z. Aleksandër Hobdari.

Transformimet demokratike që u kryen në Shqipëri pas vitit 1990, krijuan kushtet për ndryshime rrënjësore në marrëdhëniet ekonomike dhe në zhvillimin e tyre. Vendosja e ekonomisë së tregut të lirë, gëzimi lirisht i pronës private dhe i ushtrimit të biznesit privat, nxitja e zhvillimit të ekonomisë përmes ligjeve dhe rregullave të ekonomisë kapitaliste të tregut, ishin masa që çuan jo vetëm në një kthim timoni në ecjen e ekonomisë dhe tregtisë, por edhe ngritjen e institucioneve bazë për krijimin dhe formimin e alternativave të reja të zhvillimit.

Vitet ’90 janë vite të revolucionit në marrëdhëniet e biznesit të ri të sapokrijuar, që sapo merrte frymë i lirë dhe po hidhte hapat e parë ende të pasigurta në një terren ku dominonin marrëdhënie krejt të pasigurta politike, ekonomike dhe shoqërore. Vetë Dhoma e Tregtisë, e cila deri në këtë kohë vazhdonte të ishte një e vetme dhe përfaqësonte Tiranën dhe Shqipërinë, gjatë vitit 2003 u bë iniciatore e përgatitjes dhe oponencës për ligjin e parë Nr. 7804, “Për Dhomat e Tregtisë dhe të Industrisë“, i cili u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë dhe mban datën 10 mars 1994, që ishte një përpjekje për krijimin e një Dhome Tregtie të modelit të ri. Sipas ligjit të ri, në Shqipëri krijohej një sistem i organizuar i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë; ato mund të krijoheshin në të 36 rrethet e vendit, si dhe krijohej edhe Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, si një institucion, që do të mblidhte rreth vetes, tërë sistemin e Dhomave, duke u bërë përfaqësues i tyre në shkallë vendi, si në marrëdhëniet me jashtë, me organizmat ndërkombëtare.

Ishte ligji i parë që organizonte jetën, funksionin, veprimtarinë e Dhomave të Tregtisë në kushtet e një ekonomie të mbështetur në tregtinë e lirë. Përvoja e pakët, mosnjohja e problematikës së marrëdhënieve të biznesit, etj. ishin disa nga faktorët, të cilët bënë që shumë shpejt ky ligj të shfaqte të metat e tij dhe të kërkohej përmirësimi dhe ndryshimi. Ligji i ri “, Nr. 9640, datë 9.11.2006 “Për Dhomat e Tregtisë dhe të Industrisë”, realizoi mjaft ndryshime në strukturën e ndërtimit të këtij institucioni, duke vendosur ngritjen e tyre në 12 qarqet e vendit, ndërsa në qytetet, ku shihej e domosdoshme, do të kishte zyra përfaqësimi.

Gjatë këtyre viteve për herë të parë krijohet një Dhomë Tregtie që mbështet biznesin privat dhe vihet në shërbim të tij.

Një realitet i ri u krijua, ku gjatë një periudhe të shkurtër kohe janë realizuar ndryshime thelbësore strukturore dhe me departamentet vepruese e më afër nevojave reale të biznesit, është krijuar një fytyrë e re e institucionit të biznesit shqiptar. Një drejtim profesional, me vizion të qartë për të ardhmen, e ka vendosur Dhomën e Tregtisë në pikën orientuese për të gjithë biznesmenët, të vendit dhe të huaj, për institucionet qendrore ekonomike të shtetit shqiptar dhe organizatat prestigjioze ekonomike ndërkombëtare, e ka bërë atë një qendër referimi në zhvillimin e strukturave ekonomike ndihmëse për biznesin dhe rritjen e shërbimeve ndaj tij.

Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë është person juridik, që nuk ushtron veprimtari fitimprurëse. Selia e Bashkimit të Dhomave ndodhet në Tiranë, adresa: Rr. “Dervish Hima”, Rezisdenca Ambasador 3.

Bashkimi i Dhomave ushtron aktivitetin e tij brenda territorit të Republikës së Shqipërisë dhe kompetencat e tij shtrihen mbi gjithë territorin që mbulojnë Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë së Qarqeve.