Komisioni i auditimit

Komisioni i auditimit zgjidhet për një periudhë 4-vjeçare dhe përbëhet nga 3 anëtarë, nga të cilët njëri është ekspert kontabël i autorizuar dhe emërohet nga ministri përgjegjës për tregtinë, ndërsa dy të tjerët zgjidhen nga Asambleja e Bashkimit të Dhomave, njëri me profesion jurist dhe tjetri me profesion ekonomist. Në mbledhjen e tij të parë Komisioni zgjedh kryetarin e tij. Në rastin kur një nga anëtarët e zgjedhur të Komisonit nuk mund të ushtrojë detyrën, Kryetari i Bashkimit të Dhomave fillon proçedurat për zgjedhjen e anëtarit të ri nga Asambleja.

Me ftesë të Kryetarit të Bashkimit të Dhomave, anëtarët e Komisionit të Auditimit marrin pjesë në mbledhjet e Kryesisë.

Për kryerjen e aktivitetit të tij, Komisioni bashkëpunon me administratën e Bashkimit të Dhomave. Për këtë qëllim Komisionit i vihet në dispozicion çdo akt dhe dokument administrativ dhe financiar i Bashkimit të Dhomave .

Komisioni i auditimit ka për detyrë të kontrollojë në vazhdimësi veprimtarinë ekonomiko-financiare të Bashkimit të Dhomave, si dhe të raportojë në mbledhjen vjetore të asamblesë për administrimin e mjeteve dhe të burimeve financiare të tyre.

Me kërkesë të Kryetarit, të Asamblesë dhe të Sekretarit të Dhomës, komisioni mund të ushtrojë kontroll tematik.

Anëtarët e Komisionit të Auditimit mbajnë përgjegjësi për aktet e kontrollit dhe detyrat që kryejnë gjatë mandatit të tyre.