Ligji për Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë

LIGJ Nr. 9640, datë 9.11.2006

PËR DHOMAT E TREGTISË DHE INDUSTRISË

I azhurnuar me:

  • Ligjin nr.9897, datë 10.04.2008

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

 VENDOSI:

 KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

 Neni 1

Objekti i ligjit

Objekt i këtij ligji është përcaktimi i rregullave të organizimit, funksionimit dhe veprimtarisë së Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, si dhe Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë.

Neni 2

Përkufizime

Në këtë ligj, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

  1. “Dhoma” është Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, që organizohet dhe vepron sipas këtij ligji.
  2. “Bashkimi i Dhomave” është Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, që organizohet dhe vepron sipas këtij ligji.
  3. “Dhomat” janë dhomat e tregtisë dhe industrisë dhe Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, që organizohen dhe veprojnë sipas këtij ligji.
  4. “Ministri” është ministri përgjegjës për tregtinë.
  5. “Organ mbikëqyrës” është ministria përgjegjëse për tregtinë.

KREU II

DHOMA E TREGTISË DHE INDUSTRISË

 Neni 3

Statusi juridik dhe organizimi

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë është person juridik, që nuk ushtron veprimtari fitimprurëse.

Dhoma krijohet dhe funksionon në territorin e Republikës së Shqipërisë, në bazë qarku, me seli në qendër të tij.

Dhoma mund të krijojë zyra përfaqësimi edhe në njësitë territoriale të qarkut, kur një gjë e tillë parashikohet në statut.

Neni 4

Objekti i veprimtarisë

Objekt i veprimtarisë së Dhomës është:

Përfaqësimi dhe mbrojtja e interesave të ligjshëm ekonomikë të anëtarëve të saj.

Nxitja e veprimtarisë tregtare e industriale në vend.

Nxitja e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar me vendet e tjera.

Shkëmbimi i informacionit me administratën publike, për nxitjen dhe zhvillimin e bizneseve në territorin ku ushtron veprimtarinë.

Promovimi dhe realizimi i shërbimeve me interes të përgjithshëm në dobi të anëtarëve të saj.

Çdo veprimtari apo shërbim tjetër, që i ngarkohet me ligj.

Neni 5

Kompetencat

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka këto kompetenca:

Ndërmerr çdo veprimtari, që i shërben nxitjes dhe mbrojtjes së tregtisë e industrisë, në përputhje me objektin e veprimtarisë së saj dhe legjislacionin në fuqi.

Informon autoritetet përkatëse shtetërore për çështje të ndryshme, me qëllim parandalimin e konkurrencës së pandershme.

Mbikëqyr zbatimin e rregullave të pjesëmarrjes në panaire ndërkombëtare jashtë vendit nga subjektet tregtare, që përfaqësojnë vendin tonë në këto panaire.

Organizon dhe/ose merr pjesë në panaire dhe ekspozita me karakter vendor, kombëtar dhe ndërkombëtar.

Krijon komisione këshilluese për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet anëtarëve të saj.

Nxit dhe ndihmon anëtarët e Dhomës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare dhe civile, nëpërmjet rrugës së ndërmjetësimit dhe arbitrazhit.

Mban regjistrin e anëtarësisë.

Jep mendime, propozime dhe vlerësime për nismat ligjore apo politikat publike, të ndërmarra nga administrata qendrore, vendore dhe subjektet e tjera publike, përmbajtja e të cilave prek interesat e anëtarëve të saj.

Neni 6

Anëtarësia

Anëtarësia në dhomë është vullnetare për personat juridikë dhe fizikë, të regjistruar në regjistrin tregtar, sipas legjislacionit në fuqi.

Anëtarët e  dhomës paguajnë kuotën vjetore të anëtarësisë.  Masa dhe procedurat e vjeljes së kuotës përcaktohen nga asambleja e dhomës.

Neni 7

Regjistri i Dhomës

Dhoma mban regjistrin e anëtarësisë. Forma e këtij regjistri dhe mënyra e mbajtjes së tij përcaktohen nga asambleja e Bashkimit të Dhomave.

Të dhënat e regjistrit duhet të jenë në formë të shkruar dhe elektronike dhe ruhen sipas rregullave të përcaktuara në statut, në përputhje me legjislacionin për arkivat.

Neni 8

Statuti

Veprimtaria e Dhomës, rregullat për zgjedhjen, funksionimin dhe organizimin e organeve të saj, marrëdhëniet ndërmjet tyre, si dhe aktet që ato nxjerrin rregullohen nga statuti i Dhomës, i cili duhet të jetë në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe të legjislacionit në fuqi dhe përmban:

Adresën e selisë së Dhomës, fushën e veprimtarisë, anëtarësimin e subjekteve, kriteret dhe kuotën e anëtarësimit, të drejtat dhe detyrat e anëtarëve të saj.

Mënyrën e organizimit, funksionet, përbërjen dhe përgjegjësitë e organeve drejtuese.

Mënyrat e funksionimit të organeve drejtuese, ku përfshihen rregullat, procedurat e zgjedhjes dhe të shkarkimit të organeve drejtuese të Dhomës e të komisionit të kontroll-revizionit.

Përcaktimin e kuorumit të nevojshëm për vlefshmërinë e mbledhjeve dhe të vendimmarrjes së organeve të Dhomës.

Burimet financiare, mënyrën e administrimit dhe të kontrollit të tyre, përfaqësimin dhe marrëdhëniet e Dhomës me të tretët.

Rregullat për organizimin e mbledhjeve, njoftimin, pjesëmarrjen, mënyrën dhe procedurën e votimit për marrjen e vendimeve.

Mënyrën e miratimit të ndryshimeve në statut.

Rregullat për caktimin e shpërblimeve për të punësuarit e Dhomës.

Marrëdhëniet me organin mbikëqyrës.

Neni 9

Miratimi i statutit

Asambleja, me shumicën e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të vet, miraton statutin e Dhomës dhe ia paraqet ministrit për miratim brenda 30 ditëve.

Statuti hyn në fuqi vetëm pas miratimit nga ministri, i cili, brenda 30 ditëve nga marrja e kërkesës, duhet ta miratojë atë ose t’i kërkojë Dhomës ndryshimin e dispozitave, që nuk janë në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Statuti konsiderohet i miratuar nëse ministri nuk kthen përgjigje brenda 30 ditëve nga marrja e kërkesës për miratim.

Dispozitat e këtij neni vlejnë dhe për ndryshimet në statut.

Neni 10

Organet e Dhomës

Organet e Dhomës janë:

Asambleja

Kryesia

Kryetari

Sekretari i Dhomës

Komisioni i auditimit.

Neni 11

Përbërja e asamblesë

Asambleja është organi më i lartë vendimmarrës i Dhomës. Ajo zgjidhet për një periudhë 4-vjeçare nga tërësia e anëtarëve të Dhomës. Numri i anëtarëve të asamblesë është jo më i vogël se 21 dhe jo më i madh se 101.

Asambleja e Dhomës siguron përfaqësimin e çdo veprimtarie ekonomike në atë përqindje që zë çdo grup, kundrejt numrit të përgjithshëm të anëtarësisë në Dhomë.

Sekretari i Dhomës organizon dhe drejton zgjedhjen e përfaqësuesve të çdo grupi në asamblenë e Dhomës. Zgjedhjet organizohen të veçanta për çdo grup.

Anëtarët e asamblesë janë persona, që kanë zotësi të plotë për të vepruar, gëzojnë reputacion në komunitetin e biznesit të zonës që përfaqësojnë dhe nuk kanë qenë të dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për vepra penale.

Anëtarët e asamblesë duhet të jenë të autorizuar nga subjekti tregtar që përfaqësojnë, për të ushtruar të drejtën e votës në asamblenë e Dhomës. Çdo subjekt tregtar ka të drejtë të përfaqësohet në asamblenë e Dhomës vetëm nga një anëtar.

Neni 12

Kompetencat e asamblesë

Asambleja ka këto kompetenca:

Shqyrton dhe përcakton drejtimet kryesore të veprimtarisë së Dhomës.

Miraton statutin dhe ndryshimet e tij dhe ia dërgon ato për miratim ministrit.

Zgjedh nga anëtarët, me votime të fshehta e të veçanta, kryesinë, kryetarin e Dhomës, përfaqësuesit e Dhomës në asamblenë e Bashkimit të Dhomave, si dhe komisionin e auditimit, sipas nenit 20 të këtij ligji, si dhe përcakton shpërblimet për kryetarin e Dhomës dhe komisionin e auditimit.

Miraton programin dhe buxhetin.

Shqyrton e miraton raportin vjetor të veprimtarive në përgjithësi dhe të veprimtarisë fiananciare të Dhomës.

Miraton masën e kuotizacionit vjetor të anëtarëve.

Miraton akte të ndryshme për funksionimin dhe organizimin e Dhomës.

Neni 13

Thirrja e asamblesë

Mbledhjet e asamblesë janë të zakonshme dhe të jashtëzakonshme.

Asambleja e zakonshme thirret të paktën një herë në vit nga kryetari, me kërkesë të kryesisë së Dhomës, e cila cakton edhe rendin e ditës së mbledhjes së asamblesë. Kur kryetari, brenda 15 ditëve nga marrja e kërkesës, nuk mbledh asamblenë, atëherë kryesia e Dhomës ka të drejtë ta mbledhë vetë asamblenë, duke e lajmëruar për datën, orën, vendin dhe rendin e ditës së mbledhjes.

Kryetari i Dhomës drejton mbledhjet e asamblesë përfaqësuese.

Asambleja e jashtëzakonshme mblidhet me kërkesë të kryetarit dhe/ose kryesisë, ose kur këtë e kërkon 1/3 e anëtarëve të saj. Rendi i ditës i asamblesë së jashtëzakonshme caktohet nga kërkuesi.

Kur kryetari, brenda 15 ditëve nga marrja e kërkesës nga subjektet e përcaktuara në paragrafin më lart, nuk mbledh asamblenë, atëherë kërkuesi ka të drejtë ta mbledhë vetë atë, duke e lajmëruar për datën, orën, vendin dhe rendin e ditës së mbledhjes.

Statuti përcakton rregulla për mënyrën e njoftimit dhe të organizimit të mbledhjes së asamblesë, të zakonshme ose të jashtëzakonshme.

Mbledhja e asamblesë është e vlefshme kur në të marrin pjesë më tepër se gjysma e anëtarëve të saj. Vendimet janë të vlefshme kur për to votojnë pro më shumë se gjysma e anëtarëve të pranishëm, me përjashtim të rasteve kur asambleja mblidhet për të miratuar statutin ose ndryshimet në të.

Vendimet e asamblesë shënohen në një procesverbal, i cili nënshkruhet nga kryetari i Dhomës dhe sekretari i mbledhjes.

Neni 14

Kryesia dhe kompetencat e saj

Kryesia është organi ekzekutiv i Dhomës. Ajo ka këto kompetenca:

  1. Miraton programet e punës, që lidhen me detyrat dhe objektivat e Dhomës.
  2. Miraton strukturën organizative të aparatit administrativ të Dhomës, funksionet dhe pagat e punonjësve të këtij aparati.
  3. Miraton rregulloren e brendshme të aparatit administrativ të Dhomës.
  4. Shqyrton programin vjetor financiar dhe buxhetin përpara se t’i paraqitet asamblesë për miratim.
  5. Cakton shpërblimet për shërbimet që kryejnë ekspertët e jashtëm.
  6. Cakton rregullat për përdorimin e fondeve dhe administrimin e tyre.
  7. Propozon ndryshimet në statutin e Dhomës.
  8. Përcakton rendin e ditës së mbledhjes së asamblesë së Dhomës.
  9. Merr vendime për të gjitha çështjet që shtrohen për shqyrtim në kryesi nga kryetari dhe/ose sekretari i Dhomës.

Kryesia është përgjegjëse për:

zbatimin e vendimeve të asamblesë;

mbarëvajtjen e veprimtarisë së Dhomës.

Neni 15

Përbërja e kryesisë

Kryesia e Dhomës përbëhet nga kryetari dhe nga një numër anëtarësh, të cilët nuk mund të jenë më pak se 5, por jo më shumë se 15 veta. Numri i anëtarëve të kryesisë caktohet në statut.

Kryesia zgjidhet për një periudhë 4-vjeçare. Anëtarët e kryesisë kanë të drejtë rizgjedhjeje.

Kryesia, si rregull, mblidhet jo më pak se një herë në muaj nga kryetari i Dhomës ose me kërkesë të 1/3 së anëtarëve.

Mbledhja e kryesisë është e vlefshme kur në të marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve. Mbledhja drejtohet nga kryetari dhe, në mungesë të tij, nga njëri prej anëtarëve të kryesisë, i caktuar nga kjo e fundit.

Neni 16

Kryesia dhe vendimmarrja e saj

Vendimet e kryesisë nënshkruhen nga kryetari ose, në mungesë të tij, nga njëri prej anëtarëve të saj, i caktuar nga kjo e fundit për të drejtuar mbledhjen, sipas nenit 15 të këtij ligji.

Vendimet e kryesisë janë të vlefshme kur për to votojnë pro më shumë se gjysma e anëtarëve të pranishëm në mbledhje.

Neni 17

Kryetari

Kryetari drejton veprimtarinë e Dhomës dhe kryesinë e saj. Ai është përgjegjës për administrimin dhe funksionimin e Dhomës.

Kryetari përfaqëson Dhomën në marrëdhëniet me të tretët, sipas përcaktimeve të statutit dhe legjislacionit në fuqi. Ai është funksionar dhe paguhet nga Dhoma.

Kryetar i Dhomës mund të zgjidhet çdo shtetas shqiptar, që ka zotësi të plotë për të vepruar, ka mbaruar arsimin e lartë, si dhe plotëson kriteret e tjera, të përcaktuara në statutin e Dhomës.

Neni 18

Sekretari i Dhomës

Sekretari i Dhomës emërohet dhe shkarkohet me urdhër të ministrit.

Sekretari i Dhomës duhet të jetë shtetas shqiptar, me arsim të lartë dhe të mos ketë qenë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për vepra penale.

Sekretari i Dhomës është funksionar me kohë të plotë dhe paguhet nga buxheti i Dhomës.

Roli, funksionet dhe përgjegjësitë e sekretarit të Dhomës përcaktohen në këtë ligj, në aktet nënligjore dhe në statutin e Dhomës.

Neni 19

Kompetencat e sekretarit të Dhomës

Sekretari i Dhomës ka këto kompetenca:

Njofton periodikisht organin mbikëqyrës për veprimtarinë e Dhomës.

Ndjek respektimin nga Dhoma të dispozitave të këtij ligji dhe të ligjeve të tjera në fuqi.

Ndjek zbatimin e vendimeve të kryesisë dhe të asamblesë së Dhomës.

Ndjek procedurat e regjistrimit të anëtarësisë, sipas nenit 7 të këtij ligji.

Ushtron çdo kompetencë tjetër, të parashikuar me ligj.

Në rastet kur vëren shkelje të ligjshmërisë në vendimet e marra nga organet e Dhomës, njofton organin mbikëqyrës, i cili, brenda 30 ditëve nga vënia në dijeni, u kërkon këtyre organeve rishikimin e vendimeve të marra.

Neni 20

Komisioni i auditimit

Komisioni i auditimit zgjidhet për një periudhë 4-vjeçare dhe përbëhet nga 3 anëtarë, nga të cilët njëri është ekspert kontabël i autorizuar dhe emërohet nga ministri përgjegjës për ekonominë, ndërsa dy të tjerët zgjidhen nga asambleja e Dhomës, njëri me profesion jurist dhe tjetri me profesion ekonomist.

Komisioni i auditimit ka për detyrë të kontrollojë, në vazhdimësi, veprimtarinë ekonomiko-financiare të Dhomës dhe të raportojë në mbledhjen vjetore të asamblesë për administrimin e mjeteve dhe të burimeve financiare të Dhomës.

Pas miratimit në asamble, raporti i komisionit të auditimit i dërgohet për njoftim organit mbikëqyrës.

Me kërkesë të kryetarit, të asamblesë dhe të sekretarit të Dhomës, komisioni mund të ushtrojë kontroll tematik.

Neni 21

Buxheti – financimi i Dhomës

Dhoma, çdo vit kalendarik, harton buxhetin e vet vjetor.

Të ardhurat e Dhomës realizohen nëpërmjet:

Kuotizacionit vjetor të anëtarëve të Dhomës.

Shërbimeve nga veprimtaria e Dhomës.

Kontributeve të donatorëve, vendas dhe të huaj.

Burimeve të tjera, të cilat nuk bien ndesh me këtë ligj dhe me ligje të tjera në fuqi.

KREU III

BASHKIMI I DHOMAVE TË TREGTISË DHE INDUSTRISË

Neni 22

Misioni

Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë bashkërendon punën e dhomave në nivel kombëtar.

Bashkimi i Dhomave ka mision:

Të përfaqësojë dhe të promovojë interesat e përgjithshëm të dhomave për zhvillimin e tregtisë dhe industrisë në nivel kombëtar.

Të nxisë marrëdhëniet ndërmjet dhomave dhe marrëdhëniet e tyre me organizmat simotra të vendeve të tjera.

Të mbledhë, të përpunojë dhe të shpërndajë të dhëna tregtare në nivel kombëtar, duke krijuar sistemin e vet të të dhënave për tregtinë e industrinë.

Të marrë të dhëna të vazhdueshme nga gjykata, për gjendjen dhe ndryshimet në regjistrin tregtar;

Të organizojë, të administrojë dhe të financojë ekspozita dhe panaire, kurse dhe trajnime në nivel kombëtar, si dhe çdo veprimtari tjetër në interes të dhomave të Tregtisë e Industrisë, në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe me legjislacionin në fuqi;

Të japë mendime, propozime e të bëjë vlerësime për nismat ligjore apo politikat publike të ndërmarra nga Qeveria, përmbajtja e të cilave lidhet me interesat e anëtarëve të saj.

Bashkimi i Dhomave mund të ushtrojë edhe funksione të tjera, që i delegohen nga organet shtetërore, nga ligje të tjera apo nga marrëveshjet ndërkombëtare, ku Republika e Shqipërisë është palë.

Neni 23

Vendndodhja dhe statusi

Selia e Bashkimit të Dhomave ndodhet në Tiranë. Bashkimi i Dhomave është person juridik, që nuk ushtron veprimtari fitimprurëse.

Neni 24

Anëtarësia

Anëtarësimi në Bashkimin e Dhomave është i detyrueshëm për të gjitha dhomat. Dhomat janë të detyruara të paguajnë kuotën vjetore të anëtarësisë në Bashkimin e Dhomave, masa e së cilës përcaktohet me vendim të asamblesë së përgjithshme, në raport me numrin e subjekteve të anëtarësuara në secilën dhomë dhe miratohet nga organi mbikëqyrës.

Neni 25

Statuti

Veprimtaria e Bashkimit të Dhomave, rregullat për zgjedhjen, funksionimin dhe organizimin e organeve të saj, marrëdhëniet ndërmjet tyre, si dhe aktet që ato nxjerrin, rregullohen nga statuti i Bashkimit të Dhomave. Statuti duhet të jetë në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe të legjislacionit në fuqi dhe përmban:

  1. Adresën e selisë së Bashkimit të Dhomave, fushën e veprimtarisë, anëtarësimin, kriteret dhe kuotën e anëtarësimit, të drejtat dhe detyrat e anëtarëve të saj.
  2. Organizimin, funksionet, përbërjen dhe përgjegjësitë e organeve drejtuese.
  3. Mënyrat e funksionimit të organeve drejtuese, ku përfshihen: rregullat, procedurat e zgjedhjes dhe të shkarkimit të organeve drejtuese të Dhomës dhe të komisionit të auditimit.
  4. Përcaktimin e kuorumit të nevojshëm për vlefshmërinë e mbledhjeve dhe të vendimmarrjes së organeve të Bashkimit të Dhomave.
  5. Burimet financiare, mënyrën e administrimit dhe të kontrollit të tyre, përfaqësimin dhe marrëdhëniet e Dhomës me të tretët.
  6. Rregullat për organizimin e mbledhjeve, të njoftimit, për pjesëmarrjen, mënyrën e procedurën e votimit për marrjen e vendimeve.
  7. Mënyrën e miratimit të ndryshimeve të statutit.
  8. Rregullat për caktimin e shpërblimeve për të punësuarit e Dhomës.
  9. Marrëdhëniet me organin mbikëqyrës.

Asambleja, me shumicën e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të vet, miraton statutin e Bashkimit të Dhomave dhe ia paraqet ministrit për miratim brenda 30 ditëve.

Statuti hyn në fuqi vetëm pas miratimit nga ministri, i cili, brenda 30 ditëve nga marrja e kërkesës, duhet ta miratojë atë ose t’i kërkojë Dhomës ndryshimin e dispozitave, që nuk janë në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Statuti konsiderohet i miratuar nëse ministri nuk kthen përgjigje brenda 30 ditëve nga marrja e kërkesës.

Dispozitat e këtij neni vlejnë dhe për ndryshimet në statut.

Neni 26

Organet e Bashkimit të Dhomave

Organet e Bashkimit të Dhomave janë:

Asambleja përfaqësuese

Kryesia e Bashkimit të Dhomave

Kryetari

Sekretari i Përgjithshëm

Komisioni i auditimit.

Neni 27

Përbërja e asamblesë së përgjithshme

Asambleja e përgjithshme e Bashkimit të Dhomave zgjidhet një herë në 4 vjet. Ajo ka 121 anëtarë. Numri i anëtarëve të secilës Dhomë në asamblenë e përgjithshme të Bashkimit të Dhomave është në përpjesëtim me numrin e anëtarëve të çdo Dhome.

Anëtarët e asamblesë janë persona, që kanë zotësi të plotë për të vepruar, gëzojnë reputacion në komunitetin e biznesit të zonës që përfaqësojnë dhe nuk kanë qenë të dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për vepra penale.

Anëtarët e asamblesë duhet të jenë të autorizuar nga Dhoma që përfaqësojnë, për të ushtruar të drejtën e votës në asamble.

Neni 28

Kompetencat e asamblesë së përgjithshme

Asambleja ka këto kompetenca:

Shqyrton dhe përcakton drejtimet kryesore të veprimtarisë së Bashkimit të Dhomave.

Miraton statutin dhe ndryshimet e tij dhe ia dërgon ato për miratim ministrit.

Zgjedh nga anëtarët, me votime të fshehta e të veçanta, me shumicë të thjeshtë të votave, kryesinë, kryetarin dhe komisionin e auditimit, sipas nenit 20 të këtij ligji, kriteret e të cilit vlejnë edhe për Bashkimin e Dhomave.

Miraton programin dhe buxhetin.

Shqyrton e miraton raportin vjetor të veprimtarive në përgjithësi dhe të veprimtarisë financiare të Dhomës.

Përcakton masën e kuotizacionit vjetor të dhomave, në raport me numrin e anëtarëve, mënyrën e vjeljes së tij, si dhe ia dërgon atë për miratim organit mbikëqyrës.

Miraton akte të ndryshme për funksionimin dhe organizimin e Bashkimit të Dhomave.

Neni 29

Thirrja e asamblesë së përgjithshme

Asambleja e përgjithshme mblidhet të paktën një herë në vit. Të drejtën për ta mbledhur asamblenë e kanë Kryetari i Bashkimit të Dhomave, kryesia, apo kur këtë e kërkon 1/3 e anëtarëve të saj.

Kryetari i Bashkimit të Dhomave drejton mbledhjet e asamblesë së përgjithshme.

Kur kryetari, brenda 15 ditëve nga marrja e kërkesës nga subjektet e përcaktuara në paragrafin e mësipërm, nuk e mbledh asamblenë, atëherë kërkuesi ka të drejtë ta mbledhë vetë asamblenë, duke përcaktuar datën, orën, vendin dhe rendin e ditës së mbledhjes. Statuti përcakton rregullat për mënyrën e njoftimit dhe të organizimit të mbledhjes së asamblesë.

Mbledhja e asamblesë është e vlefshme kur në të marrin pjesë më tepër se gjysma e anëtarëve të saj. Vendimet e asamblesë, me përjashtim të rasteve kur zgjidhet kryesia, kryetari dhe anëtarët e komisionit të auditimit, vlerësohen të vlefshme kur për to votojnë pro më shumë se 3/5 e anëtarëve të pranishëm. Vendimet e asamblesë shënohen në një procesverbal dhe nënshkruhen nga kryetari dhe sekretari i mbledhjes.

Neni 30

Kompetencat e kryesisë

Kryesia është organi ekzekutiv i Bashkimit të Dhomave dhe ushtron këto kompetenca:

Miraton programet e punës, që lidhen me objektivat dhe kompetencat e Bashkimit të Dhomave.

Miraton strukturën organizative dhe personelin tekniko-administrativ të Bashkimit të Dhomave, si dhe funksionet dhe pagat e punonjësve.

Miraton rregulloren e brendshme të funksionimit të administratës së Bashkimit të Dhomave.

Propozon ndryshimet në statutin e Bashkimit të Dhomave.

Shqyrton programin vjetor financiar dhe buxhetin, përpara se t’i paraqitet asamblesë për miratim.

Cakton masën e shpërblimeve për shërbimet që kryejnë ekspertët e jashtëm.

Vendos rregullat për përdorimin e fondeve dhe administrimin e tyre.

Merr vendime për çështje që shtrohen për shqyrtim në kryesi nga Kryetari dhe/ose Sekretari i Përgjithshëm i Bashkimit të Dhomave.

Kryesia është përgjegjëse për:

zbatimin e vendimeve të asamblesë;

mbarëvajtjen e veprimtarisë së Bashkimit të Dhomave.

Neni 31

Thirrja e kryesisë

Kryesia e Bashkimit të Dhomave zgjidhet nga asambleja për një periudhë 4-vjeçare. Ajo përbëhet nga kryetari dhe një numër anëtarësh, të cilët nuk mund të jenë më pak se 7, por jo më shumë se 21 anëtarë.

Kryesia, si rregull, mblidhet jo më pak se një herë në muaj nga kryetari. Kryesia e Bashkimit të Dhomave mblidhet edhe me kërkesë të kryetarit,  sekretarit të përgjithshëm, si dhe kur këtë e kërkon 1/3 e anëtarëve të saj.

Mbledhja e kryesisë është e vlefshme kur në të marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve. Vendimet janë të vlefshme kur për to votojnë pro më shumë se 3/5 e anëtarëve të pranishëm.

Kryesia nxjerr çdo akt tjetër për realizimin e funksionit dhe të veprimtarisë së vet, të parashikuar nga ligji ose statuti, për aq sa nuk cenojnë kompetencat e asamblesë ose të kryetarit.

Neni 32

Kryetari

Kryetari është funksionar me kohë të plotë. Ai drejton veprimtarinë e Bashkimit të Dhomave, kryesinë e saj dhe gëzon të drejtën e një vote.

Kryetari përfaqëson Bashkimin e Dhomave në të gjitha marrëdhëniet me të tretët, sipas dispozitave të këtij ligji dhe statutit të Bashkimit të Dhomave.

Kriteret e parashikuara në nenin 17 të këtij ligji vlejnë edhe për Kryetarin e Bashkimit të Dhomave.

Funksioni i Kryetarit të Bashkimit të Dhomave është i papajtueshëm me funksionin e kryetarit të Dhomës.

Neni 33

Sekretari i përgjithshëm

Sekretari i Përgjithshëm i Bashkimit të Dhomave emërohet dhe shkarkohet me urdhër të ministrit. Ai gëzon të njëjtat kompetenca, që parashikon neni 19 i këtij ligji, brenda sferës së veprimtarisë së Bashkimit të Dhomave.

Neni 34

Buxheti dhe financimi i Bashkimit të Dhomave

Bashkimi i Dhomave çdo vit kalendarik harton buxhetin e vet vjetor. Të ardhurat e Bashkimit të Dhomave realizohen nëpërmjet:

  1. Kuotizacionit vjetor të anëtarëve të Bashkimit të Dhomave.
  2. Shërbimeve nga veprimtaria e Bashkimit të Dhomave.
  3. Kontributeve të donatorëve vendas dhe të huaj.
  4. Burimeve të tjera, të cilat nuk bien ndesh me këtë ligj dhe ligje të tjera në fuqi.

KREU IV

ORGANI MBIKËQYRËS

Neni 35

Organi mbikëqyrës

Organi mbikëqyrës i veprimtarisë së dhomave është ministri përgjegjës për tregtinë.

Organi mbikëqyrës monitoron respektimin e dispozitave të këtij ligji nga dhomat dhe Bashkimi i Dhomave, si dhe kontrollon ligjshmërinë e statuteve të dhomave dhe të ndryshimeve që u bëhen atyre e vendimeve të marra nga asambletë e dhomave dhe të Bashkimit të Dhomave.

Organi mbikëqyrës ka të drejtë të kthejë për rishqyrtim aktet e nxjerra nga dhomat ose Bashkimi i Dhomave, kur vëren se ato bien ndesh me ligjin dhe, kur vëren se edhe pas rishqyrtimit aktet janë të kundërligjshme, i drejtohet gjykatës kompetente, për të kërkuar shfuqizimin e tyre.

Organi mbikëqyrës përcakton, me udhëzim të veçantë, rregullat për pjesëmarrjen e subjekteve tregtare, që përfaqësojnë vendin tonë në panaire ndërkombëtare jashtë vendit.

KREU V

DISPOZITA TË FUNDIT DHE KALIMTARE

Neni 36

Ndalimet

Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë dhe Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, në kuptim të këtij ligji, u ndalohet të marrin përsipër mbrojtjen e interesave në fushën e politikës sociale.

Dhomat ose Bashkimi i Dhomave nuk mund të marrin pjesë në negocimin dhe nënshkrimin e marrëveshjeve kolektive të punës.

Neni 37

Humbja e mandatit

Mandati i personave të zgjedhur në organet drejtuese të dhomave apo të Bashkimit të Dhomave humbet kur shkelin dispozitat e këtij ligji dhe të ligjeve të tjera në fuqi, si dhe statutin e Dhomës, ose kur dënohen me vendim gjykate të formës së prerë. Humbja e mandatit deklarohet nga organi që i ka zgjedhur.

Procedurat e zëvendësimit të tyre përcaktohen në statut.

Neni 38

Përdorimi i emërtimeve

Përdorimi i emërtimeve “Dhomë Tregtie”, “Dhomë Tregtie dhe Industrie” dhe “Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë” është i rezervuar vetëm për subjektet, që krijohen në përputhje me dispozitat e këtij ligji.

Anëtarësia e këtyre dhomave në Bashkimin e Dhomave është e detyrueshme.

Emërtimet e mësipërme lejohen të përdoren edhe nga ato shoqata të bashkimit vullnetar të bizneseve, të cilat kanë për qëllim ofrimin e shërbimeve për anëtarët e tyre, si dhe promovimin e tregtisë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe një vendi tjetër, të cilat:

– njihen zyrtarisht nga institucionet përkatëse simotra të vendit tjetër;

– kanë një numër anëtarësh më të madh se 100 veta;

– anëtarët e saj, së bashku, kanë një xhiro të konsiderueshme vjetore import-eksportesh me vendin përkatës.

Anëtarësia e të gjitha dhomave në Bashkimin e Dhomave është e detyrueshme.

Neni 39

Dispozita kalimtare

Të drejtat, detyrimet, pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, në pronësi apo administrim të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, të krijuara në çdo rreth dhe që kanë funksionuar sipas ligjit nr. 7804, datë 10.3.1994 “Për Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë”, i kalojnë Dhomës që mbulon territorin, ku ato ushtronin veprimtari të organizuar, sipas këtij ligji.

Të drejtat, detyrimet, pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, në pronësi apo administrim të Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, organizuar sipas ligjit nr. 7804, datë 10.3.1994 “Për Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë”, i kalojnë Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, të organizuar sipas këtij ligji.

Neni 40

Aktet nënligjore

Ministri përgjegjës për tregtinë, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, nxjerr urdhrat dhe udhëzimet e nevojshme për krijimin dhe zgjedhjen e organeve të Dhomës dhe të Bashkimit të Dhomave, sipas këtij ligji dhe ngarkon sekretarët e dhomave dhe sekretarin e përgjithshëm për zbatimin e tyre.

Neni 41

Shfuqizime

Ligji nr.7804, datë 10.3.1994 “Për Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë”, si dhe çdo dispozitë tjetër që bie në kundërshtim me këtë ligj shfuqizohen.

Neni 42

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.5130, datë 1.12.2006 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu