Statuti

STATUTI I BASHKIMIT TË DHOMAVE TE TREGTISË DHE INDUSTRISË

Bashkimi i Dhomave të Tregtise dhe Industrise në Shqipëri, i cili në vazhdim do të quhet “Bashkimi i Dhomave”, është person juridik që ushtron veprimtarinë e tij bazuar në ligjin Nr. 9640 date 9.11.2006 ”Për Dhomat e Tregtise dhe Industrisë” dhe legjislacionin shqiptar në fuqi.

Statuti i Bashkimit të Dhomave përcakton parimet mbi të cilat bazohet aktiviteti i tij si dhe kompetencat, funksionet dhe përbërjen e organeve të tij.

KREU I

DISPOZITA TE PËRGJITHSHME

Neni 1

Objekti i Statutit

Ky Statut përcakton parimet bazë të funksionimit të Bashkimit të Dhomave, personalitetin juridik, objektivat dhe kompetencat e të cilit rregullohen nga Ligji nr. 9640, datë 09.11.2006 “Për Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë”.

Neni 2

Statusi Juridik, Selia dhe Vula

Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë është person juridik, që nuk ushtron veprimtari fitimprurëse. Selia e Bashkimit të Dhomave ndodhet në Tiranë, adresa: Bulevardi “Zhan D’Ark”, Qendra e Panaireve, Tiranë.

Selia e Dhomës mund të ndryshojë me vendim të organeve drejtuese të saj.

Bashkimi i Dhomave ushtron aktivitetin e tij brenda territorit të Republikës së Shqipërisë dhe kompetencat e tij shtrihen mbi gjithë territorin që mbulojnë Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë së Qarqeve.

Stema zyrtare e Dhomës: Stema zyrtare e Bashkimit te Dhomave paraqet dy duar te bashkuara te stilizuara ne formën e dy shigjetave ne sfondin e një elipsi; gjysma e figurës se formuar është me ngjyrën gri. Gjysma tjetër ka ngjyrë te bardhe. Kjo stemë pasqyron bashkimin e interesave të dhomave të tregtisë në mbështetje te biznesit shqiptar.

Vula zyrtare e Dhomës është në formë rrethore ku në mes të saj ndodhet stema zyrtare e Bashkimit të Dhomave e përshkruar më lart, rreth së cilës shkruhet: “Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë se Shqipërisë”.

Neni 3

Objekti dhe Qëllimi i Veprimtarisë së Bashkimit të Dhomave

Bashkimi i Dhomave bashkërendon punën e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë në nivel kombëtar.

Bashkimi i Dhomave ka për qëllim:

  1. Të përfaqësojë dhe të promovojë interesat e përgjithshme të dhomave për zhvillimin e tregtisë dhe industrisë në të gjitha nivelet.
  2. Të nxisë marrëdhëniet ndërmjet dhomave te qarqeve te Republikes se Shqiperise dhe bashkëpunimin e tyre me organizmat ekuivalente të vendeve të tjera.
  3. Të mbledhë, të përpunojë dhe të shpërndajë të dhëna tregtare në rang kombëtar, duke krijuar sistemin e vet të të dhënave për tregtinë dhe industrinë.
  4. Të marrë të dhëna të vazhdueshme nga gjykata, për gjendjen dhe ndryshimet në regjistrin tregtar.
  5. Të organizojë, të administrojë dhe të financojë ekspozita dhe panaire, kurse dhe trajnime në nivel kombëtar, si dhe çdo veprimtari tjetër në interes të Biznesit.
  6. Të japë mendime, propozime e të bëjë vlerësime për nismat ligjore apo politikat publike të ndërmarra nga Qeveria, përmbajtja e të cilave lidhet me interesat e anëtarëve të tij.
  7. Të ushtrojë funksione të tjera që mund t’i delegohen nga organet shtetërore, ligjet apo nga marrëveshjet ndërkombëtare, ku Republika e Shqipërisë është palë.
  8. Të promovojë dhe realizojë shërbime me interes të përgjithshëm, në dobi të dhomave anëtare.
  9. Të informohet, në mbështetje të ligjit, mbi ushtrimin e aktivitetit të Dhomave anëtare.
  10. Të ndërmjetësojë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të mundshme mes dhomave.

Neni 4

Anëtarësia

Anëtarësimi në Bashkimin e Dhomave është i detyrueshëm për të gjitha dhomat e qarqeve dhe dhomat e tjera që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri. Dhomat janë të detyruara të paguajnë kuotën vjetore të anëtarësisë në Bashkimin e Dhomave.

Neni 5

Forma të bashkëpunimit dhe të integrimit

Për ushtrimin e aktivitetit, Bashkimi i Dhomave bashkëpunon me administratën shtetërore, qëndrore dhe lokale, me institucione ndërkombëtare si dhe me shoqata dhe organizata të biznesit, vendase dhe të huaja.

Bashkimi i Dhomave merr pjesë dhe nënshkruan marrëveshje dhe protokolle bashkëpunimi, është pjesëmarrëse në programe dhe në projekte të ndryshme në nivel kombëtar (ku përfshihen të gjitha dhomat anëtare të vendit) dhe ndërkombëtar, me qëllim zhvillimin dhe integrimin evropian dhe më gjerë të sipërmarrjes shqiptare.

Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë merr pjesë në të gjitha iniciativat që kanë për synim zhvillimin dhe promovimin e biznesit shqiptar.

Bashkimi i Dhomave krijon marrëdhënie partneriteti me dhomat homologe të vendeve të tjera, në kuadrin e programeve të përbashkëta.

KREU II

ORGANET DREJTUESE

Neni 6

Asambleja e Përfaqësuesve (Asambleja e Përgjithshme)

Asambleja e Përgjithshme e Bashkimit të Dhomave është organi më i lartë vendimmarrës. Ajo zgjidhet për një periudhë 4-vjeçare dhe përbëhet nga 121 anëtarë. Numri i anëtarëve të secilës Dhomë në Asamblenë e Përgjithshme të Bashkimit të Dhomave është në përpjesëtim te drejte me numrin e anëtarëve të çdo Dhome.

Anëtarët e asamblesë janë persona, që kanë zotësi të plotë për të vepruar, gëzojnë reputacion në komunitetin e biznesit të zonës që përfaqësojnë, dhe nuk kanë qenë të dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për vepra penale.

Anëtarët e asamblesë duhet të jenë të autorizuar nga Dhoma që përfaqësojnë për të ushtruar të drejtën e votës në asamble.

Anëtari i Asamblesë mund të mos e përfundojë mandatin në rastin kur:

  • Kur shkel dispozitat e këtij ligji dhe të ligjeve të tjera në fuqi, si dhe statutin e Dhomës që përfaqëson dhe/ose Bashkimit të Dhomave;
  • Është në pamundësi për të ushtruar mandatin e tij (arsye shëndetësore, personale etj);
  • Nuk merr pjesë, pa pasur një motiv të justifikueshëm, në dy mbledhje të zakonshme të njëpasnjëshme të Asamblesë;
  • Dënohet nga gjykata për kryerjen e një vepre penale;
  • Nuk vazhdon te ushtroje funksionet përkatëse në Dhomën që përfaqëson.

Në rastin e largimit të një anëtari të Asamblesë, Dhoma përkatëse duhet ta zëvendësojë atë menjëherë me një anëtar të ri shoqëruar me autorizimin për përfaqësim. Mandati i anëtarit të ri zgjat deri në përfundim të mandatit 4-vjeçar të Asamblesë.

Zgjedhjet për Asamblenë e ardhshme duhet të zhvillohen brenda 45 ditëve nga data e  përfundimit të mandatit të Asamblesë aktuale.

Asambleja, në mbledhjen e saj të fundit, miraton rregullat dhe procedurat për zgjedhjen e Asamblesë së re, të propozuara nga Kryesia.

Neni 7

Kompetencat e Asamblesë

Asambleja në veçanti ka këto kompetenca:

  1. Shqyrton dhe përcakton drejtimet kryesore të veprimtarisë së Bashkimit të Dhomave.
  2. Miraton statutin dhe ndryshimet e tij dhe ia dërgon ato për miratim ministrit.
  3. Zgjedh nga anëtarët, me votime të fshehta e të veçanta, kryesinë, kryetarin dhe anëtarët e komisionit të auditimit.
  4. Miraton programin dhe buxhetin vjetor të Bashkimit të Dhomave brenda tre-mujorit të parë të çdo viti.
  5. Shqyrton e miraton raportin vjetor të veprimtarive në përgjithësi, dhe të veprimtarisë financiare të Dhomës.
  6. Përcakton masën e kuotizacionit vjetor të dhomave, mënyrën e vjeljes së tij, si dhe ia dërgon për miratim organit mbikëqyrës.
  7. Miraton akte të ndryshme për funksionimin dhe organizimin e Bashkimit të Dhomave.
  8. Miraton formën e regjistrit të anëtarësisë dhe mënyrën e mbajtjes së tij si për anëtarët e Bashkimit të Dhomave, ashtu dhe për vetë Dhomat e Qarqeve.

Neni 8

Funksionimi i Asamblesë

Asambleja e përgjithshme mblidhet të paktën një herë në vit. Të drejtën për ta mbledhur asamblenë e kanë Kryetari i Bashkimit të Dhomave, kryesia, apo kur këtë e kërkon 1/3 e anëtarëve të saj.

Mbledhjet e asamblesë së përgjithshme drejtohen nga Kryetari i Bashkimit të Dhomave.

Mbledhja thirret nga kryetari, kryesia ose kur këtë e kërkon 1/3 e anëtarëve të saj. Kur kryetari, brenda 15 ditëve nga marrja e kërkesës, nuk mbledh asamblenë, atëherë kërkuesi ka të drejtë ta mbledhë vetë asamblenë, duke e lajmëruar për datën, orën, vendin dhe rendin e ditës së mbledhjes. Dërgimi i materialeve dhe njoftimi për datën e mbledhjes bëhet të paktën 15 ditë para datës kur do të zhvillohet mbledhja.

Mbledhja e asamblesë është e vlefshme kur në të marrin pjesë më tepër se gjysma e anëtarëve të saj. Vendimet e Asamblesë janë të vlefshme kur për to votojnë pro më shumë se 3/5 e anëtarëve të pranishëm.

Në rastet kur zgjidhet kryesia, kryetari dhe anëtarët e komisionit të auditimit, duhet plotësuar kuorumi prej jo më pak se 2/3 të anëtarëve të asamblesë. Vendimi i asamblesë për këto raste është i vlefshëm kur për to votojnë jo më pak se ½ e anëtarëve të pranishëm. Votimi mund të jetë i hapur ose i fshehtë.

Në mbledhjet e Asamblesë nuk lejohet delegimi në pjesëmarrje dhe në votim.

Vendimet e asamblesë shënohen në një procesverbal, i cili nënshkruhet nga kryetari i Bashkimit të Dhomave dhe sekretari i mbledhjes, i cili është punonjës i administratës së Bashkimit të Dhomave dhe emërohet nga Kryetari.

Asambleja, ashtu si edhe Kryesia, mund të  krijojë komisione të veçanta, të përbëra nga vetë anëtarët e Asamblesë, me qëllim trajtimin e çështjeve me rëndësi për aktivitetin e Bashkimit të Dhomave. Këto Komisione kanë një rol rekomandues, propozues apo këshillimor, dhe mund të jenë të përhershme (gjatë gjithë mandatit të Asamblesë), ose të përkohshme.

Neni 9

Kryesia e Bashkimit të Dhomave dhe Funksionimi

Kryesia e Bashkimit të Dhomave përbëhet nga Kryetari i Dhomës dhe nga 20 anëtarë, të cilët zgjidhen me votim të fshehtë nga Asambleja për një periudhë 4 vjeçare.

Kryesia zgjedh midis anëtarëve të saj, një përfaqësues që do të drejtojë mbledhjet e saj në rastet kur mungon Kryetari.

Kryesia mblidhet jo më pak se një herë në muaj nga kryetari. Kryesia e Bashkimit të Dhomave mund të mblidhet edhe me kërkesë të kryetarit, sekretarit të përgjithshëm, si dhe kur këtë e kërkon 1/3 e anëtarëve të saj. Njoftimi dhe dërgimi i materialeve bëhet të paktën 5 (pesë) ditë pune para datës së caktuar për mbledhje.

Mbledhja e kryesisë është e vlefshme kur në të marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve të saj. Vendimet janë të vlefshme kur për to votojnë pro më shumë se 3/5 e anëtarëve të pranishëm.

Kryesia nxjerr çdo akt tjetër për realizimin e funksionit dhe veprimtarisë së vet, të parashikuar nga ligji ose statuti, për aq sa nuk cënojnë kompetencat e asamblesë ose të kryetarit.

Në Kryesi sigurohet përfaqësimi i të gjithë grupeve të biznesit (tregti, industri, shërbime, transport-telekomunikacion dhe ndërtimi).

Anëtarët e Kryesisë (me përjashtim të Kryetarit) nuk mund të jenë funksionarë ekzekutive në administratën e Bashkimit të Dhomave.

Humbja e mandatit si anëtar i Asamblesë sjell automatikisht humbjen e mandatit si anëtar i Kryesisë.

Neni 10

Kompetencat e Kryesisë

Kryesia është organi ekzekutiv i Bashkimit të Dhomave. Ajo ka këto kompetenca:

  1. a) Miraton programet e punës, që lidhen me objektivat dhe kompetencat e Bashkimit të Dhomave.
  2. b) Miraton strukturën organizative dhe personelin tekniko-administrativ të Bashkimit të Dhomave, funksionet dhe pagat e punonjësve të këtij aparati.
  3. c) Miraton rregulloren e brendshme të funksionimit të administratës së Bashkimit të Dhomave.

ç) Propozon ndryshimet në statutin e Bashkimit të Dhomave.

  1. d) Shqyrton programin vjetor financiar dhe buxhetin përpara se t’i paraqitet asamblesë për miratim.
  2. dh) Cakton masën e shpërblimeve për shërbimet që kryejnë ekspertët e jashtëm.
  3. e) Vendos rregullat për përdorimin e fondeve dhe administrimin e tyre.

ë) Merr vendime për të gjitha çështjet që shtrohen për shqyrtim në kryesi nga Kryetari dhe/ose Sekretari i Përgjithshëm i Bashkimit të Dhomave.

  1. f) Aprovon anëtarësimin në Union të Dhomave Private.
  2. g) Kryesia është përgjegjëse për:

– zbatimin e vendimeve të asamblesë;

– mbarëvajtjen e veprimtarisë së Bashkimit të Dhomave.

Neni 11

Kryetari i Bashkimit të Dhomave

Kryetari i Bashkimit të Dhomave është funksionar me kohë të plotë. Ai drejton veprimtarinë e Bashkimit të Dhomave, kryesinë e saj dhe gëzon të drejtën e një vote.

Kryetari përfaqëson Bashkimin e Dhomave në të gjitha marrëdhëniet me të tretët, si dhe përgjigjet për aktivitetin, administrimin dhe funksionimin e Bashkimit të Dhomave.

Kryetari zgjidhet me votim të fshehtë nga Asambleja, për një periudhë katërvjeçare.

Kryetari zgjidhet midis anëtarëve të Asamblesë, brenda 10 ditëve nga formimi i Asamblesë. Kryetar i Dhomës mund të zgjidhet çdo shtetas shqiptar, që ka zotësi të plotë për të vepruar, ka mbaruar arsimin e lartë, si dhe gëzon reputacion në komunitetin e biznesit.

Neni 12

Funksionet dhe kompetencat e Kryetarit

Kryetari kryen këto funksione:

-Përfaqëson Bashkimin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Shqipërisë në të gjitha aktivitetet që kryen kjo e fundit,  si dhe në takime zyrtare te nivelit të lartë, delegacione qeveritare brenda dhe jashte vendit, etj.;

-Thërret dhe drejton mbledhjet e Asamblesë dhe të Kryesisë;

-Paraqet çdo vit para Asamblesë raportin vjetor të aktivitetit të Bashkimit të Dhomave si dhe projekt programin për vitin e ardhshëm;

-Organizon, drejton dhe mbikëqyr drejtpërsëdrejti aktivitetin e administratës së Bashkimit të Dhomave, si dhe ndan detyrat për çdo departament apo njësi tjetër të kësaj administrate, sipas përcaktimeve të Rregullores së Dhomës;

-Organizon punën për  zbatimin e vendimeve të Asamblesë dhe të Kryesisë;

-Cakton dhe delegon përfaqësues të Bashkimit të Dhomave në organizma, komisione borde etj.

Neni 13

Sekretari i Përgjithshëm i Bashkimit të Dhomave dhe kompetencat e tij

Sekretari i Përgjithshëm emërohet dhe shkarkohet me urdhër të ministrit përgjegjës.

Sekretari i Përgjithshëm duhet të jetë shtetas shqiptar, me arsim të lartë dhe të mos ketë qenë i dënuar, me vendim gjykate të formës së prerë, për vepra penale.

Sekretari i Përgjithshëm është funksionar me kohë të plotë dhe paguhet nga buxheti i Bashkimit të Dhomave.

Sekretari i Përgjithshëm i Bashkimit të Dhomave ka këto kompetenca:

 

  1. Njofton periodikisht organin mbikëqyrës për veprimtarinë e Bashkimit të Dhomave.
  2. Ndjek respektimin nga Bashkimi i Dhomave të dispozitave të këtij statuti dhe të ligjeve të tjera në fuqi.
  3. Ndjek zbatimin e vendimeve të kryesisë dhe të asamblesë së Bashkimit të Dhomave.
  4. Ndjek procedurat e regjistrimit të anëtarësisë së Bashkimit të Dhomave;
  5. Ushtron çdo kompetencë tjetër, të parashikuar me ligj.

 

Në rastet kur vëren shkelje të ligjshmërisë në vendimet e marra nga organet e Bashkimit të Dhomave, njofton organin mbikëqyrës, i cili brenda 30 ditëve nga vënia në dijeni, u kërkon këtyre organeve rishikimin e vendimeve të marra.

 

Neni 14

Komisioni i Auditimit

 

Komisioni i auditimit zgjidhet për një periudhë 4-vjeçare dhe përbëhet nga 3 anëtarë, nga të cilët njëri është ekspert kontabël i autorizuar dhe emërohet nga ministri përgjegjës për tregtinë, ndërsa dy të tjerët zgjidhen nga Asambleja e Bashkimit të Dhomave, njëri me profesion jurist dhe tjetri me profesion ekonomist. Në mbledhjen e tij të parë Komisioni zgjedh kryetarin e tij. Në rastin kur një nga anëtarët e zgjedhur të Komisonit nuk mund të ushtrojë detyrën, Kryetari i Bashkimit të Dhomave fillon proçedurat për zgjedhjen e anëtarit të ri nga Asambleja.

Me ftesë të Kryetarit të Bashkimit të Dhomave, anëtarët e Komisionit të Auditimit marrin pjesë në mbledhjet e Kryesisë.

 

Për kryerjen e aktivitetit të tij, Komisioni bashkëpunon me administratën e Bashkimit të Dhomave. Për këtë qëllim Komisionit i vihet në dispozicion çdo akt dhe dokument administrativ dhe financiar i Bashkimit të Dhomave .

 

Komisioni i auditimit ka për detyrë të kontrollojë në vazhdimësi veprimtarinë ekonomiko-financiare të Bashkimit të Dhomave, si dhe të raportojë në mbledhjen vjetore të asamblesë për administrimin e mjeteve dhe të burimeve financiare të tyre.

 

Me kërkesë të Kryetarit, të Asamblesë dhe të Sekretarit të Dhomës, komisioni mund të ushtrojë kontroll tematik.

Anëtarët e Komisionit të Auditimit mbajnë përgjegjësi për aktet e kontrollit dhe detyrat që kryejnë gjatë mandatit të tyre.

 

KREU III

ANETARESIA  E BASHKIMIT TË DHOMAVE

Neni 15

Anëtarësimi në Bashkimin e Dhomave

Anëtarësia në Bashkimin e Dhomave është e detyrueshme për të gjitha Dhomat e Qarqeve të Shqipërisë dhe gjithë “Dhomat” e tjera që ushtrojnë aktivitet brenda territorit të Shqipërisë.

Dhomat duhet të informojnë Bashkimin e Dhomave të Tregëtisë për të gjithë veprimtarinë e tyre në mënyrë periodike (çdo katër mujor).

Emërtimet e mësipërme lejohen të përdoren dhe nga ato shoqata biznesi që kanë për qëllim ofrimin e shërbimeve për anëtarët e tyre si dhe promovimin e tregëtisë nëpërmjet Republikës së Shqipërisë dhe një vendi tjetër.

Nëse shoqatat në fjalë dëshirojnë të përmbajnë emërtimin “Dhomë”, është e detyrueshme të jenë anëtarë në Bashkimin e Dhomave të Tregëtisë dhe Industrisë së Shqipërisë pasi të plotësojnë kriteret e mëposhtme:

  • Të kenë mbi 100 (njëqind) anëtarë;
  • Anëtarët së bashku të kenë një xhiro të konsiderueshme import-eksporti;
  • Të kenë lidhje të zyrtarizuara me organizatat simotra të vendit përkatës;
  • Pasi te kene plotesuar kerkesat e mesiperme t’i bejne kerkese me shkrim Bashkimit te Dhomave per anetarisim ne te.
  • Të paguajë kuotën e anëtarësise ne mase 560,000 (peseqind e gjashtedhjete mije) Leke pranë Bashkimit te Dhomave të Tregëtisë dhe Industrisë së Shqipërisë.

Dhomat anëtare duhet të depozitojnë listën e anëtarësisë pranë Bashkimit të Dhomave të Tregëtisë dhe Industrisë së Shqipërisë.

Dhomat anëtare kanë të njëjtat të drejta, detyra, kërkesa dhe përfitime ndaj Unionit të Dhomave.

Neni 16

Regjistri i Anëtarëve

Bashkimi i Dhomave mban regjistrin e anëtarësisë së dhomave. Të dhënat e regjistrit duhet të jenë në formë të shkruar dhe elektronike. Forma e unifikuar e këtij regjistri dhe mënyra e mbajtjes së tij përcaktohen nga kryesia e Bashkimit të Dhomave.

Neni 17

Kuotizacioni vjetor i anëtarëve të Bashkimit të Dhomave

Anëtarët e Bashkimit të Dhomave paguajnë kuotën vjetore të anëtarësisë ne masen 10% të të ardhurave vjetore qe vijne prej derdhjes se kuotave te anetaresimit te cdo biznesi prane dhomave te qarqeve.

Pagesa e kuotizacionit është e detyrueshme të shlyhet brenda cdo tre-mujori ne perpjestim te drejte me te ardhurat e mbledhura prej kuotave te anetarisise.

KREU III

ORGANIZIMI I BASHKIMIT TË DHOMAVE

 

Neni 18

Struktura e administratës së Bashkimit të Dhomave

 

Struktura organizative, dhe shërbimet që kryen Bashkimi i Dhomave, rregullohen nga ky statut si dhe nga rregullorja e brendshme e administratës së Bashkimit të Dhomave, e cila aprovohet nga Kryesia me propozim të Kryetarit.

 

Organizimi i strukturës dhe shërbimeve bëhet në përputhje me objektivat e veprimtarisë së Bashkimit të Dhomave. Veprimtaria ekzekutive e Bashkimit të Dhomave drejtohet dhe mbikqyret nga Kryetari.

 

Neni 19

Shërbimet që kryen administrata

 

Në përmbushje të objektivave dhe funksioneve të Bashkimit të Dhomave, administrata kryen këto aktivitete dhe shërbime:

  • Jep mendime, propozime dhe vlerësime për nismat ligjore apo politikat publike, të ndërmarra nga administrata qendrore, vendore dhe subjektet e tjera publike, përmbajtja e të cilave prek interesat e anëtarëve të saj.
  • Vendos, mban dhe zhvillon kontakte me dhomat anëtare, me institucione ekonomike, shoqata, organizata dhe firma jashtë vendit me qëllim nxitjen e tregtisë dhe bashkëpunimit ekonomik me to.
  • Informon anetaret e saj mbi mundesite dhe kërkesat e tregut ne vendin tone dhe ate nderkombetar, mbi tendencen e zhvillimit te tregut, konkurencen, për zhvillimin e ankandeve e tenderave te ndryshëm etj.
  • Bashkimi i Dhomave organizon dhe administron misione biznesi, ekspozita e panaire, kurse trajnimi profesionale, si dhe cdo veprimtari tjetër që i shërben nxitjes së tregtisë e të industrisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
  • Mban regjistrin e anëtarëve të Bashkimit të Dhomave, me të dhënat përkatëse për çdo dhomë anëtare dhe përfaqësuesit e tyre.
  • Përgatit kontrata model, forma dhe kushte të përgjithshme për kontrata për lloje të ndryshme aktivitetesh ekonomike.
  • Informon mbi legjislacionin tregtar të Republikës së Shqipërisë dhe atë nderkombetar si dhe mbï marrëveshjet e tregtisë që ka nënshkruar vendi ynë me shtetet e tjera.
  • Nxit dhe ndihmon anëtarët e Bashkimit të Dhomave për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, tregtare dhe civile, nëpërmjet rrugës së ndërmjetësimit dhe arbitrazhit;

si dhe kryen  çdo veprimtari apo shërbim tjetër, që i ngarkohet me ligj apo me akte nënligjore.

Neni 20

Struktura organizative dhe drejtuesit ekzekutivë

Struktura organizative e administratës së Bashkimit të Dhomave përbëhet nga:

(Departamenti)

Kryetari

Sekretari i Përgjithshëm

Drejtori  Departamenti

Përgjegjës Sektori

Specialistët

Keshilltar dhe eksperte te jashtem.

Departamenti është njësi organizative e strukturës së Bashkimit të Dhomave, me kompetenca administrative dhe ekzekutive. Departamenti organizon, administron dhe drejton punën me objekt të përcaktuar, në përputhje me rolin dhe me funksionin sipas rregullores së brendshme të Bashkimit të Dhomave. Departamenti drejtohet nga drejtori i Departamentit i cili është drejtues ekzekutiv. Drejtorët e Departamenteve janë përgjegjës për organizimin dhe drejtimin e punës në njësinë organizative që u është besuar. Përcaktimi konkret i departamenteve dhe detyrave të tyre bëhet në strukturën dhe  rregulloren e Bashkimit të Dhomave.

Emërimi i punonjësve të administratës së Bashkimit të Dhomave bëhet nga Kryetari, sipas strukturës organizative dhe nivelit të pagave të miratuara nga Kryesia. Marrëdhëniet e punës të administratës së Bashkimit të Dhomave rregullohen nga Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë.

Neni 21

Konsulenca e ekspertëve të jashtëm

Bashkimi i Dhomave mund të kërkojë konsulencën e ekspertëve të jashtëm për çështje specifike që kërkojnë trajtim profesional. Për këtë qëllim mund të lidhen kontrata dhe marrëveshje bashkëpunimi me ekspertët. Kryetari i Bashkimit të Dhomave, në stafin e tij mban këshilltarë të jashtëm, ekspertë me profil juridik dhe specialistë të kualifikuar.

Shpërblimet për shërbimet që kryejnë ekspertët dhe këshilltarët e jashtëm përcaktohen nga Kryesia (me propozim të Kryetarit).

KREU V

ADMINISTRIMI FINANCIAR

Neni 22

Parime të përgjithshme

Administrimi financiar i Bashkimit të Dhomave bazohet në ligjin “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”, në akte të tjerë ligjorë dhe nënligjorë si dhe në standartet kombëtare të kontabilitetit. Viti financiar fillon në 1 Janar dhe përfundon në 31 Dhjetor.

Aktiviteti financiar i Bashkimit të Dhomave bazohet në programimin e shpenzimeve dhe të të ardhurave, që pasqyrohen në projektbuxhetin e Bashkimit të Dhomave.

Neni 23

Burimet financiare të Bashkimit të Dhomave

Të ardhurat e Bashkimit të Dhomave realizohen nëpërmjet:

  1. kuotizacionit vjetor të anëtarëve të Bashkimit të Dhomave;
  2. shërbimeve nga veprimtaria e Dhomës;
  3. kontributeve të donatorëve vendas dhe të huaj;
  4. burimeve të tjera si të ardhura nga projektet etj, të cilat nuk bien ndesh me legjislacionin shqiptar.

Tarifat e shërbimeve që kryen Bashkimi i Dhomave përcaktohen nga Kryesia.

KREU VI

DISPOZITA TE FUNDIT

Neni 24

Ndryshimi i Statutit

Dispozitat e këtij Statuti mund të ndryshohen ose të revokohen me 1/2 e anëtarëve të pranishëm të  Asamblesë. Çdo ndryshim i Statutit i njoftohet organit mbikqyrës, për t’u shprehur për ligjshmërinë e tij.

Neni 25

Hyrja në fuqi e Statutit

Ky Statut miratohet me vendim të Asamblesë së Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Shqipërisë, në datë ……..

Statuti hyn në fuqi menjëherë pas miratimit nga Ministri përgjegjës për tregtinë.